“Pritja e gjatë” arrestohet për drogë 19-vjeçari
Korçë- Hetim tremujor për kultivuesit e kanabisit, sekuestrohen qindra bimë, ndërsa një i ri përfundon në pranga, një tjetër shpallet në kërkim. Ka përfunduar pas disa javësh punë intensive një operacion i policisë së Korçës për kapjen e kultivuesve të drogës. Një 19- vjeçar nga qyteti i Maliqit është arrestuar, ndërsa një 27-vjeçar është shpallur në kërkim. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Korçë, mësohet se gjatë pasdites të së hënës ka përfunduar me sukses operacioni “Pritja e gjatë”. Eldis Rroko, 19 vjeç, nga Maliqi, është arrestuar dhe në kërkim është shpallur miku i tij në këtë aktivitet kriminal Aleks B., 27 vjeç, banor i fshatit Zerec në rrethin e Korçës. Të dy shtetasit e lartpërmendur akuzohen për “Prodhim, shitje dhe kultivim të narkotikëve në bashkëpunim”. Për më shumë se tre muaj punë intensive, duke infiltruar një agjent policie, si i interesuar për shitjen e bimëve narkotike, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të lartpërmendur si dhe i aktivitetit të tyre të paligjshëm. Gjatë të hënës u sekuestruan në cilësinë e provës materiale plot 558 rrënjë bimë narkotike të llojit kanabis sativa, një armë gjahu, një pushkë sportive, 20 fishekë arme gjahu pa leje etj. Duke iu referuar të dhënave të policisë, mësohet se armët pa leje janë gjetur në shtëpinë e shtetasit të shpallur në kërkim Aleks B. i cili është duke u fshehur nga përballja me punonjësit e Policisë së Shtetit Sipas kësaj të fundit, të dy të akuzuarit në fshatin Zerec të rrethit Korçë, në vendin e quajtur “Qetë e Zerecit”, kanë kultivuar hashash, të cilat më pas u prenë dhe u sekuestruan. Të dy shtetasit që janë përfshirë në një hetim të posaçëm, ishin duke përgatitur shitjen e bimës narkotike, e cila dyshohet se do të trafikohej për në shtetin grek.