E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati në Bulqizë, "U kërcënuan që kromi merret me gjak"

BULQIZË- "Kromi do të vilet vetëm me gjak, vetëm kur të vdesin do të mund ta marrin kromin". Ky do të ishte fillimi i çdo historie që ka lidhje me minierën e kromit në Bulqizë dhe veçanërisht me galerinë D, e cila ka marrë jetë të shumta njerëzish. E tillë është edhe historia mes familjes Shehu dhe Tërnova nga Bulqiza, të cilat dy ditë më parë janë konfliktuar me njëra-tjetrën, duke pasur një fund tragjik. Konflikti i nisur që në vitin 2009, është rikthyer sërish dy ditë më parë, duke shënuar një viktimë dhe dy të plagosur rëndë në Spitalin Ushtarak. Por, duket se ky është vetëm fillimi i historisë, pasi që të dyja familjet tashmë i druhen së ardhmes dhe frikës së hakmarrjes nga dy fiset. Në Spitalin Ushtarak, në sallën e reanimacionit, ndodhen dy të plagosurit e ngjarjes, Vehad Shehu dhe Fadil Tërnova, të cilët, si për ironi të fatit janë vendosur në dhomat ngjitur me njëra-tjetrën. Jashtë sallës janë të paktë familjarët e të dyja familjeve, nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme brenda mureve të spitalit. Konflikti mes dy familjeve Shehu dhe Tërnova, që prej vitit 2009, nuk ishte shuar asnjëherë plotësisht derisa dy ditë më parë kanë dalë në pah historitë e vjetra mes djemve të dy fiseve. Por, konflikti i nisur me fjalë banale dhe përplasje fizike, ka degraduar deri në përdorimin e armëve, duke shënuar në fund një viktimë, 37-vjeçarin Shefqet Shehu, kurse vëllai i tij, i plagosur rëndë në spital. Por, edhe nga fisi tjetër, në gjendje të rëndë për jetën ndodhet 25-vjeçari Fadil Tërnova, i cili po lufton mes jetës dhe vdekjes në spital. I vetmi që ka qëndruar pa lëvizur nga koka e 40-vjeçarit Vehad Shehu, është djali i hallës së tij, Erioni. Ai rrëfen për "GSH", versionin e historisë, pa e fshehur dot dhimbjen për kushëririn tjetër të tij që ndërroi jetë, por edhe për të ardhmen e fisit të tij. "Kjo histori vështirë të mbyllet me kaq", - pohon Erioni, kushëriri i 40-vjeçarit Shehu, i shtruar në Spitalin Ushtarak.
Erion, me aq sa ke dijeni ti, kur ka nisur konflikti mes dy fiseve?
E gjitha kjo histori ka nisur në vitin 2009. Familja Shehu me familjen Tërnova janë përleshur disa herë fizikisht. Në vitin 2009, Fadil Tërnova i ka bërë një tjetër atentat Vehapit, duke e plagosur në këmbë. Policia arrestoi autorin e krimit, Fadilin, dhe në 2010-ën Gjykata e dënoi me 17 vjet burg. Nuk e di se si ka dalë prej andej dhe kjo gjë nuk u prit mirë nga Vehapi. Sa herë që shiheshin rrugës, e kërcënonin njëri-tjetrin me jetë, derisa ndodhi kjo që ndodhi.
Po pse ka lindur konflikti dhe pse ka arritur deri këtu?
Motivi i sherrit mes dy familjeve ka qenë një stok kromi. Kushërinjtë e mi zotërojnë në Bulqizë një minierë kromi. Kanë të punësuar rreth 30 punëtorë, të cilët nxjerrin lëndën e parë nga galeria D. Por, të gjithë e dinë se familja Shehu ka pronësi mbi këtë galeri. Por, pranë kësaj galerie ndodhet një stok i madh kromi, i cilësisë së dytë, për të cilën familja Tërnova ka shfaqur pretendimet e saja të pronësisë. Kjo ka qenë edhe "molla e sherrit" që ka futur në konflikt kushërinjtë e mi me familjen Tërnova. Madje, nga të dyja palët ka pasur kërcënime, duke kërcënuar njëri-tjetrin se "kromi merret me gjak dhe se kromi merret vetëm me vdekjen e të dyja palëve", derisa arriti sherri deri në këtë pikë.
Po ditën e shtunë, si ka ndodhur ngjarja?
Dy kushërinjtë e mi, Vehapi dhe Shefqeti, kanë qenë duke pirë kafe në lokal, ndërkohë që ishin zënë edhe para 5 ditësh me Fadil Tërnovën, por vetëm me fjalë. Atë ditë, ky i fundit kishte shkuar tek lokali dhe kishte nisur konfliktet me kushërinjtë e mi, "çfarë ke që sheh", "kush je ti" etj. Kur Shefqeti kishte dalë jashtë bashkë me Vehapin, u kishin zënë pritë 12 persona, me 3 makina. Ata kanë qëlluar Vehapin dhe më pas Shefqetin, i cili ka dalë para vëllait të tij dhe është vetëmbrojtur duke qëlluar atentatorin e palës tjetër, Fadilin. Shefqeti vdiq në vend, pasi mori dy plumba në gushë.
Po Vehapi si është me shëndet?
Mjekët na thanë që e ka kaluar gjendjen kritike, ka marrë tre plumba. Të afërmit e tjerë janë në varrimin e Shefqetit. Vehapi më pyet gjatë gjithë kohës për Shefqetin. Nuk mund t'ia them që Shefqeti sot po përcillet në banesën e fundit. Ai nuk është në gjendje që ta përballojë një lajm të tillë. Gjithë frika jonë tashmë, është se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, pasi siç rrodhën ngjarjet, s'i dihet nëse do marrë fund ndonjëherë kjo histori.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›