Atentati në Kombinat, 3 pistat e hetimit
Policia shoqëron mbi 20 persona për vrasjen e Ilir Nezirit, por asnjëri prej tyre nuk është i implikuar
TIRANË- Ende mister autorët e vrasjes së 40-vjeçarit Ilir Neziri. Policia e Tiranës ka shoqëruar rreth 20 persona si autorë të dyshuar të krimit, por asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar të ketë qëlluar me pistoletë mbi 40-vjeçarin, dy net më parë në Kombinat të Tiranës. Burime zyrtare nga policia thanë se ditën e djeshme janë marrë në pyetje familjarët e viktimës, dëshmitarë si dhe persona të dyshuar si autorë të ngjarjes por ende nuk është e mundur zbulimi i motivit dhe autorëve të kësaj vrasjeje. Ilir Neziri, i cili u qëlluapër vdekje me armë zjarri dy net më parë në Kombinat nga dy persona të panjohur, njihej nga policia si kontingjent. Ai kishte qenë më parë i arrestuar për vrasjen e një personi, por për mungesë provash u la i lirë.
Pistat
Një nga pistat kryesore për të cilën po heton policia për të zbuluar motivin e ekzekutimit të Ilir Nezirit është vrasje për motive hakmarrjeje. Fakti që 40-vjeçari u shoqërua tre vite më parë si bashkëpunëtor në vrasjen e Petrit Drizës e ndodhur në Kombinat, ka hedhur dyshime se ai mund të jetë vrarë për hakmarrje. Por policia thotë se ende nuk ka prova që të vërtetojë këtë dyshim, ndërsa shton se paralelisht po heton edhe disa pista të tjera. “Neziri dyshohet se merrej me trafikim të lëndëve narkotike, ndaj dhe policia po heton ndonjë prishje të mundshme pazari mes bashkëpunëtorëve të tij e cila mund të ketë përfunduar me vrasjen e 40-vjeçarit”,-thotë për “Shekullin” një anëtar i grupit hetimor. Por grupi hetimor i formuar për këtë ngjarje, nuk hedh poshtë edhe vrasje pas një konflikti banal mes viktimës dhe autorëve. Po hetohet nëse Neziri ka pasur ndonjë konflikt kohët e fundit”- thanë për “Shekullin” burimet policore të cilat shtojnë se deri më tani nuk është zbuluar ndonjë motiv që të bindë policinë. Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe dëshmitarët e ngjarjes të cilët kanë deklaruar se ishin dy persona ata që qëlluan mbi Nezirin, por nuk kanë dhënë detaje për fizikun e tyre pasi nuk i kanë diktuar për shkak të errësirës. Gjithashtu në pyetje policia ka marrë edhe familjarët e viktimës të cilët dëshmuan se ai nuk ndihej i kërcënuar dhe nuk kanë ndonjë person të dyshuar mbi të cilin mund të vënë gishtin si autor i vrasjes së familjarit të tyre.
Vrasja
Ilir Nerizi ndodhej i vetëm në një lokal te rruga e “Qelqit” në Kombinat të Tiranës, kur dy persona të panjohur i janë afruar dhe e kanë qëlluar me armë zjarri. Një plumb e ka prekur në kokë 40-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë për krimin janë lajmëruar forcat e policisë, ndërsa dy autorët mundën të largoheshin me shpejtësi ku kanë shfrytëzuar edhe errësirën për të humbur gjurmët. Policia mundi të identifikonte viktimën të cilin e kishte arrestuar tre vjet më parë si bashkëpunëtor në një vrasje. Por për mungesë provash Neziri fitoi lirinë. Policia dyshoi se 40-vjeçari kishte ndihmuar Altin Hoxhën në vrasjen e 30-vjeçarit Petrit Driza. Ky i fundit kishte plagosur më parë Hoxhën dhe për këtë u qëllua prej tij me armë duke gjetur vdekjen. Altin Hoxha u arrestua një vit më pas, ndërsa bashkëpunëtori i dyshuar i tij Ilir Neziri, u la i lirë, ndërsa u vra dy net më parë. “Implikimi” në vrasjen e Drizës detyroi grupin hetimor të dyshonte fillimisht se ngjarja mund të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje, por një gjë e tillë nuk e ka bindur policinë për shkak të mungesës së provave. Megjithatë, burimet policore thanë se po punohet për të zbardhur motivin dhe autorët e kësaj vrasjeje.
PISTA 1
Viktima u shoqërua tre vite më parë si bashkëpunëtor në vrasjen e Petrit Drizës, ka hedhur dyshime se ai mund të jetë vrarë për hakmarrje. Por policia thotë se ende nuk ka prova që të vërtetojë këtë dyshim
PISTA 2
Neziri dyshohet se është implikuar edhe në probleme droge, ndaj dhe policia po heton ndonjë prishje të mundshme pazari mes bashkëpunëtorëve të tij e cila mund të ketë përfunduar me vrasjen e 40-vjeçarit
PISTA 3
Grupi hetimor nuk hedh poshtë edhe mundësinë e një vrasjeje, pas ndonjë konflikti banal mes 40-vjeçarit Ilir Neziri dhe autorit të këtij krimi. Hetimet e deritanishme ende nuk kanë zbuluar autorët