Vendet vakante, ish-policët refuzojnë rikthimin nën armë
Nga 1800 ish-punonjës policie të prekur nga reforma, vetëm 300 kanë aplikuar për t’u rikthyer në Policinë e ShtetitTIRANË- Ish-policët neglizhojnë vendet vakante në sektorët e policisë së shtetit. Megjithëse shumë prej tyre kundërshtuan largimin nga radhët e policisë së shtetit, një vit më parë për shkak të reformës, tashmë nuk janë të interesuar për të riveshur uniformën blu. Rreth një muaj më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi të gjithë ish-punonjësit e policisë të cilët ishin larguar dy vitet e fundit nga policia për shkak të reformës apo me dëshirën e tyre se kanë një shans për t’u rikthyer. Sipas policisë, të gjithë të interesuarit kishin të drejtë të aplikonin për të konkurruar me qëllim rikthimin e tyre në polici pasi aktualisht janë rreth 350 vende vakante. Por burime nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thanë se deri më tani kanë qenë më pak se 300 ish-policë të interesuar, nga 1800 të larguar.
Neglizhenca
Dy vitet e fundit, Policia e Shtetit largoi nga radhët e saj për shkak të reformës rreth 1800 punonjës të policisë. Një vit pas furtunës së fundit në polici, ku u larguan 1000 efektivë, policia implementoi ligjin e ri për gradat, gjë e cila liroi jo pak por 350 funksione organike, çka duket se nuk ishte parashikuar nga specialistët. Këta të fundit larguan nga policia 1800 punonjës por vetëm një vit më pas rezultoi se 350 prej tyre duhen sërish. Në këto kushte, policisë iu desh të njoftonte të larguarit të konkurrojnë për t’u rikthyer në radhët e policisë. Një muaj më parë, me anë të një njoftimi zyrtar Policia e Shtetit njoftoi të gjithë ish-policët e prekur nga reforma se mund të aplikojnë në drejtoritë e policisë së qarqeve ku kanë vendbanimin. Por vetëm një numër i vogël, në krahasim me policët e larguar kanë shprehur interesin të kthehen në polici. “Ende nuk ka mbërritur në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit një numër i saktë i personave që kanë aplikuar për t’u rikthyer në polici, pasi listat me emrat e aplikantëve do të mbërrijnë nga të gjitha drejtoritë e qarqeve në fund të këtij muaji. Por paraprakisht deri më tani mendohet se janë 300 aplikues. Interesimi iish-policëve ka qenë i ulët për shkak se shkëputja e tyre nga policia ka bërë që ata të angazhohen me detyra në subjekte private dhe kanë neglizhuar rikthimin në radhët e policisë”, -thanë për “Shekullin” burimet nga policia. “Nuk kam pse rrezikoj sërish. Nuk i dihet ndoshta po të konkurojë rikthehesha në polici por rroga e ulët dhe vendi jo i sigurt për shkak të reformave sa herë që ndërrohen ministrat apo drejtorët më detyron të mos kthehem më, por të qëndroj në sektor privat ku jam aktualisht”,- shprehet një ish-polic, i cili nuk dëshiron të bëjë publik emrin e tij.
Konkursi
Për të zënë funksionet e lira në policinë e shtetit aplikime kanë të drejtë të bëjnë ish- punonjësit e policisë që janë larguar nga policia me motivacionin “Për shkurtim të funksionit organik” ose “Me kërkesën e tyre”. Ish-punonjësit e policisë, të cilët janë përjashtuar nga detyra për shkelje të ndryshme nuk do të jenë të favorizuar të rikthehen sërish duke mos pasur të drejtën të aplikojnë për të konkurruar. Ndërkohë që ish-policët e interesuar për t’u rikthyer sërish në detyrë, duhet të paraqiten pranë drejtorive të policisë së qarqeve dhe të dorëzojnë një certifikatë, vërtetim nga prokuroria, si dhe një librezë pune për të paraqitur detyrën e kryer prej tyre pas largimit nga policia me qëllim që të përllogaritet vjetërsia e punës. Burime nga policia thanë se aplikantët do të konkurrojnë për të zënë vendet vakante për të cilat ata përmbushin kriteret. “Do të shikohet vjetërsia e punës dhe grada që ish-polici aplikues ka pasur kur ka dalë në reformë. Një ish-polic me gradë nëninspektor nuk mund të konkurrojë për nënkomisar”, -thanë burimet policore. Policia nuk bën të ditur datat e konkurrimit duke u shprehur se në fund të këtij muaji priten listat e aplikuesve dhe më pas do të vendoset për zhvillimin e konkurseve.