E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremonia për Gazideden, Berisha e vlerëson për 97

Lamtumira zyrtare e ish-kreut të SHIK-ut, Bashkim Gazidede, po aq e diskutuar sa edhe jeta e tij e këtyre viteve të fundit 

TIRANË- Bashkim Gazidede, njeriu i errët i Shqipërisë post-komuniste dhe i anatemuar për trazirat e vitit 1997 është përcjellë dje si “hero” drejt banesës së fundit. Dyert e Kuvendit u hapën për homazhe zyrtare, ku qeveria “Berisha” e zyrtarët e Partisë Demokratike ndanë dhimbjen nën tingujt funebër. Për rreth një orë, në sallën e seancave plenare të Kuvendit janë zhvilluar homazhet për nder të ish-kryetarit më të diskutuar të SHIK-ut, Bashkim Gazidede, ndërkohë që opozita ka bojkotuar ceremoninë e organizuar nga Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë.

Që në orën 11.00 të paradites së djeshme, hyrja e Kuvendit gëlonte prej njerëzve të shumtë. Miq, të njohur apo edhe bashkëpuntorët e Bashkim Gazidedes qëndronin në pritje të hapjes së kangjellave të Kuvendit. Ndërsa nga hyrja kryesore, krerët e qeverisë janë bashkuar me qindra njerëz për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Përreth një orë, trupi i pa jetë i ish- kryetarit të SHIK-ut ka qëndruar në hollin e Kuvendit, ku përveç njerëzve të thjeshtë, kanë bërë nderimet presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe disa ministra dhe drejtues drejtorish, mes të cilëve edhe ish-kolegu i tij, Arben Sefgjini, i akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Duke konsideruarvdekjen e Gazidedes një humbje të madhe për vendin, kryeministri Berishaka risjellë në mendjen e çdo shqiptari trazirat e vitit 1997. Kanë qënë pikërisht këto ngjarje për të cilat është akuzuarpër vite me radhë publikisht ish- kryetari i SHIK-ut, po aq sa për rolin e institucionit që ai drejtonte në zgjedhjet e majit ’96, në sulmet kundër medias apo në zhdukjen e Remzi Hoxhës. E për të njëjtën ngjarje, kryeministri Berisha e ka vlerësuar rolin e tij në këtë periudhë si “heroik”.“Bashkim Gazidede dha një kontribut historik të shkëlqyer në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Qëndroi vendosmërisht në mbrojtje të shtetit gjatë rebelimin komunist të ‘97”- deklaroi dje Berisha.

Po me të njëjtat tone vlerësuese u shpreh edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila gjithashtu iu referua rolit të Gazidedes për atë që ajo e quajti shtypjen e rebelimit të vitit 1997. Më pas, kortezhi mortor në krye të së cilit qëndronin dy motorë policie ka marrë drejtimin në varrezat e Tufinës. Imami ka prirë trupin e pajetë të të ndjerit, për t’iu drejtuar varrezave. Kështu, ish -profesori i matematikës, i shndërruar në gjeneralin më të përfolur dhe të kundërshtuar në vend është përcjellë dje në banesën e fundit, me po aq diskutime kontradiktore sa edhe i jetoi këto vitet e fundit të jetës.

Kush ishte Bashkim Gazidede

Bashkim Gazidede lindi më 2 shkurt 1952. Studimet parauniversitare i kreu në rrethin e Peshkopisë, ndërsa ato universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Dega Matematikë, me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1984 emërohet pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Bashkim Gazidede ishte një ndër intelektualë që u angazhuan që në ditët e para në lëvizjen demokratike dhe përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri. Në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, Gazidede zgjidhet deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në vitin 1992 deri në vitin 1997 merr detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe në vitin 1997 arratiset nga Shqipëria. Kthehet pas 8 vitesh arrati, për t’u emëruarnëndrejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Mungojnë në ceremoni disa ministra të kabinetit Berisha apo deputetë të djathtë

Homazhet për Gazideden "përçajnë" demokratët

TIRANË- Opozita nuk ka qenë e vetmja që ka bojktotuar dje ceremoninë zyrtare të vdekjes së Bashkim Gazidedes. Në homazhet e zhvilluara dje në mesditë është vënë re mungesa e një sërë ministrash dhe deputetësh të Partisë Demokratike. Për arsye që nuk dihen, ministra të rëndësishëm të kabinetit si zv.kryeministri Genc Pollo, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, apo ai i Ekonomisë, Gend Ruli, kanë munguar gjatë homazheve të zhvilluara dje në Kuvend. Po kështu, edhe një sërë deputetësh të djathtë si Spartak Ngjela, Nard Ndoka apo Xhaferri nuk kanë qenë dje të pranishëm në homazhe. E ndërsa një pjesë e mirë e deputetëve kanë “thyer” protokollin e ceremonisë së organizuar nga Kuvendi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë në nder të Bashkim Gazidedes, pjesa më e madhe e ministrave të qeverisë Berisha i kanë dhënë dje lamtumirën e fundit, ish- kryetarit të SHIK-ut. Në ceremoninë mortore nuk ka munguar as Arben Sefgjini, apo drejtorë të tjerë të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Por krahas deputetëve dhe minitrave në qeverisë Berisha është vënë re dhe prezanca e punonjësve të Shërbimit Informativ Kombëtar. Si për të kujtuar kohën që Gazidede drejtonte këtë insitucion, një kurorë me lule mbante mbishkrimin,“Kujtim nga Punonjësit e SHIK-ut”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›