Atentati në Kroaci, Serbia ofron ndihmë për kapjen e autorëve
BEOGRAD - Serbia i ka ofruar ndihmë Kroacisë për gjetjen dhe kapjen e autorëve të sulmit me automjet bombë që vrau një gazetar të njohur kroat dhe kolegun e tij. “Do t'i ofrojmë informacionet e shërbimeve tona sekrete homologeve kroate”, tha ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç.
“Ne besojmë se ky është një problem i përbashkët që nuk prek vetëm Kroacinë, ndaj jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me krimin”, tha Daçiç.
Mediat serbe kanë raportuar se pjesëtarë të bandave kriminale serbe janë të përfshirë në vrasjen e gazetarëve kroat. Lajmi është hedhur poshtë nga burimet zyrtare të Beogradit.
(a.s/Balkanweb/REL)