E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja e emrit, rrëzohet propozimi i ri nga Nimiç

Çështja e emrit do te vazhdojë të mbajë peng Maqedoninë për anëtarësimin në NATO. Propozimi i ri i ndërmjetësit të OKB-së Metju Nimiç për emrin “Republika Veriore e Maqedonisë” është hedhur poshtë pas takimit të kryeministrit dhe presidentit maqedonas. Ndërkohë presidenti amerikan Xhorxh Bush, teksa ka firmosur protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ka uruar Maqedoninë që shumë shpejtë edhe ajo të ketë një vend në aleancë. 

SHKUP - Kanë dështuar bisedimet për një kompromis mes presidentit dhe kryeministrit të Maqedonisë për propozimin e ri të ndërmjetësit Metju Nimiç. Në këtë mënyrë , çështja e emrit vazhdon të mbetet pengu i Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Presidenti i Maqedonisë Branko Cervenkovski dhe kryeministri Gruevksi që u takuan dje në mbrëmje por nuk arritën të gjejnë asnjë kompromis lidhur me propozimin më të fundit të ndërmjetësit të OKB Metju Nimiç për emrin e ri “Republika Veriore e Maqedonisë”. Të dy autoritetet në Shkup nuk kanë pranuar këtë propozim të ri duke pretenduar se ndryshimi i emrit ndryshon edhe identitetin e shtetit maqedonas.
Ndërkohë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shpresuar se Maqedonia të zgjidhë çështjen e emrit dhe të nisë bisedimet për anëtarësimin e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Teksa ka firmosur mbrëmë protokollin e aëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, kreu i shtetit amerikan, Xhorxh Bush ka shprehur dëshirën që shumë shpejtë edhe Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s. “Aleanca Veri Atlantike e NATO-s, është duke pritur për “karrigen” tuaj në “tavolinën” tonë. Dhe shohim përpara edhe hyrjen tuaj si anëtare më të drejta të plota sa më shpejt që të jetë e mundur në NATO”, ka deklaruar në ceremoni presidenti amerikan Xhorxh W. Bush.
Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën e anëtarësimit në NATO në 3 prill të këtij viti, gjë e cila nuk u arrit nga Maqedonia për shkak të problemit të emrit që ajo ka me Greqinë. Për këtë çështje i ngarkuari i OKB, Metju Nimiç ka zhvilluar disa takime me palën maqedonase dhe greke por pa patur sukses.
(a.s/Balkanweb/INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›