E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Çoles, zbulohet një tjetër grabitje e grupit

Gazeta Shqip

Fotot e bankës

Nga Greqia ekstradohet bashkëpunëtori i të arrestuarve, Mili Vejko

Mikel Marsi

Zbulohet një tjetër grabitje e bandës së Çoles, ndërkohë që Greqia ka sjellë në pranga një anëtar të shpallur në kërkim pas operacionit të koduar Sfida 2. Policia e Vlorës ka zbardhur të plotë një ngjarje të rëndë të dy viteve më parë, që lidhet me grabitjen e një dege banke në qytetin bregdetar. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se autorët e grabitjes janë shtetasit Nardi dhe Joni Idrizi, të dy vëllezër të arrestuar pak ditë më parë, ndërkohë që dje është arrestuar edhe bashkëpunëtori i tyre. Sipas të dhënave zyrtare nga policia lokale, nga hetimet e kryera, falë bashkëpunimit ndërkombëtar me strukturat e policisë së Greqisë, është bërë i mundur ekstradimi i shtetasit të shpallur në kërkim Mili Tahir Veliko, 24 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet për vjedhje me armë, të kryer në bashkëpunim. 24-vjeçari, duke bashkëpunuar me pjesën tjetër të grupit, mendohet se ka kryer disa grabitje në Vlorë, por që ai kishte arritur të arratisej drejt Greqisë, para se të bëhej goditja ndaj tyre. Po sipas të njëjtave burime, nga hetimet e mëtejshme për operacionin Sfida 2, nga strukturat Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, falë sigurimit të provave shkencore, është bërë e mundur edhe zbulimi i autorësisë së grabitjes me armë të një banke, që ka ndodhur më 12 dhjetor 2010, në afërsi të shkollës së naftës. Autorët e kësaj grabitjeje janë vëllezërit Nardi dhe Joni Idrizi. Ata u arrestuan më 26 gusht, ku gjatë operacionit, bashkë me ta u vunë në pranga Mario Maliq Metaj dhe Armando Izet Likaj. Ndërkaq, nga grupi mbeten në kërkim edhe dy persona të tjerë. Sipas policisë, arrestimi i këtyre shtetasve është kryer pasi nga hetimet disamujore ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në 10 raste, nën kërcënimin e armëve dhe të maskuar, kanë vjedhur disa pika karburantesh, një kazino dhe bankën. Këta shtetas janë edhe autorë të tentativës së grabitjes me armë zjarri automatike në pikën e karburantit ALPET, që ndodhet në rrugën Transballkanike. Në këtë rast, shtetasit e mësipërm kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të patrullës së policisë, duke e dëmtuar atë në disa vende dhe kanë rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të policisë gjatë tentativës për arrestimin e tyre në flagrancë nga policia. Të arrestuarit janë cilësuar si anëtarë të bandës së re të Çoles, ku dikur bënte pjesë Zani Çaushi, i dënuar me burgim të përjetshëm. Madje, ka të dhëna se një prej të arrestuarve, Fatbardh Idrizi, është vëllai i Leonard Idrizit, që bënte pjesë në bandën e Çoles. Leonardi është vrarë disa vite më parë dhe vëllai i tij, Fatbardhi, që është arrestuar nga policia, ka ndërruar emrin, duke marrë identitetin e vëllait të vdekur. Një tjetër lidhje me bandën e Çoles, sipas Policisë së Vlorës, është se një nga të dyshuarit para disa vitesh ka pasur kontakte telefonike me personat që janë në burg përjetë.

vjedhja e raiffeisen bank 13 dhjetor 2010, banda e coles, dy vellezerit vjedhja e raiffeisen bank 13 dhjetor 2010, banda e coles, dy vellezerit (12) vjedhja e raiffeisen bank 13 dhjetor 2010, banda e coles, dy vellezerit (11) vjedhja e raiffeisen bank 13 dhjetor 2010, banda e coles, dy vellezerit (10) vjedhja e raiffeisen bank 13 dhjetor 2010, banda e coles, dy vellezerit (9) vjedhja e raiffeisen bank 13 dhjetor 2010, banda e coles, dy vellezerit (8) vjedhja e raiffeisen bank 13 dhjetor 2010, banda e coles, dy vellezerit (7)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›