E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Peci u mbijeton plumbave të policit afgan

23-02-2012 / Gazeta 55

Këshilli i Ministrave mban një minutë heshtje në nderim të kujtimit të Kapitenit shqiptar, Feti Vogli të vrarë në Afganistan. Kryeministri Berisha u uron shërim të shpejtë komandos Peci si dhe marinsit amerikan, që mbetën të plagosur në të njëjtin mision

Këshilli i Ministrave, me propozim të Kryeministrit Berisha, mbajti dje në hapje të mbledhjes së tij, një minutë heshtje në kujtim e nderim të Kapiten Feti Vogli, efektiv i kontingjentit “Eagle 4” në Afganistan, i cili ra në krye të detyrës në Kandahar.
Duke ftuar anëtarët e qeverisë për të nderuar me një minutë heshtje Kapiten Feti Voglin, Kryeministri Berisha i uroi shërim të shpejtë Aleksndër Pecit komandos shqiptare dhe një komandoje amerikane, të plagosur në të njëjtën ngjarje.
“Dy (tre) ditë më parë, në Kandahar, ra në krye të detyrës një komando i njësisë sonë luftarake, Kapiten Feti Vogli dhe mbetën të plagosur dy komando të tjerë, komandos shqiptar Aleksandër Peci dhe tjetri, një ushtarak i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke i uruar shërim të shpejtë dhe të plotë të dy komandove të plagosur në këtë ngjarje, unë ju ftoj ju të nderojmë me një minutë heshtje Kapiten Feti Voglin, që ra si burrat në krye të detyrës, në një mision sa njerëzor, aq edhe hyjnor, pasi paqja është edhe kushti më themelor i jetës dhe zhvillimit. Ai ra në një vend mik, ku, në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Shqipëria ka një prezencë për frymë ndër më të lartat. Rënia e Kapiten Feti Voglit shton detyrimin tonë për të bërë gjithçka për paqen në këtë vend, i cili ka një rëndësi shumë të veçantë për sigurinë në Europë e në botë. Le të nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e veprën e ndritur të Kapiten Feti Voglit”, u shpreh kryeministri Berisha.

Jozefina Topalli, vizitë ngushëllimi në familjen e Kapiten Feti
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi mbrëmjen e së martës një vizitë në familjen Vogli, ku shprehu dhimbjen e thellë në emrin e saj personal por dhe të Kuvendit të Shqipërisë, për humbjen e jetës së Kapitenit Feti Vogli, të rënë në krye të detyrës, në Kandahar, Afganistan.
Kryetarja e Kuvendit shprehu pikëllimin dhe ngushëllimet më të sinqerta ndaj nënës, babait, vëllait, bashkëshortes e familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur, si dhe nderimin sublim për Kapitenin Vogli, i cili me misionin e tij paqeruajtës, përfaqësoi të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë, si vend i NATO-s, duke sakrifikuar jetën e tij të re. “Ke rritur një djalë hero, i tha Kryetarja e Kuvendit, nënës së kapiten Voglit-dhimbja e zemrës së nënës është e pakufi, por sot me këtë dhimbje bashkohet e gjithë Shqipëria. Ne të gjithë jemi krenarë për misionin heroik dhe paqeruajtës të Fetiut”.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi se dhimbja për humbjen e Kapitenit Vogli ka përfshirë çdo qytetar shqiptar dhe se kujtimi i tij do të mbetet përherë i ndritur si një hero që nderoi kombin shqiptar.
Nëntetari Aleksandër Peci ndodhet tërësisht jashtë rrezikut për jetën/Nëntetari Aleksandër Peci, i plagosur tri ditë më parë në Kandahar, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Lajmin e mirë e konfirmuan dje, burimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Në një njoftim për shtyp të shpërndarë dje nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, mësohet se, “Nëntetar Aleksandër Peci, është transferuar në spitalin ushtarak amerikan në Bazën Ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit, një spital me personel shumë të kualifikuar për ndërhyrje kirurgjikale të vështira.
Nëntetar Peci i është nënshtruar edhe një operacioni tjetër, i cili ka zgjatur disa orë.
Operacion ka dalë me sukses të plotë dhe aktualisht gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë. Ai tashmë ndodhet tërësisht jashtë rrezikut dhe funksionet e tij jetësore janë duke u kthyer në normalitet. Pasi gjendja  e tij shëndetësore të jetë në nivel të qëndrueshëm për të përballuar kushtet e udhëtimit, ai do të transferohet për një trajtim mjekësor më të gjatë dhe më të hollësishëm në Gjermani”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›