Gazsjellësi “Transadriatik” dhe gazifikimi i vendit - projektet e ardhme për Shqipërinë energjetike

Kryeministri pohoi se vendimi i fundit rrit shanset e përftimit të Shqipërisë nga projekti TAP
Kryeministri Berisha tha dje në mbledhjen e qeverisë, se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë gjithçka për suksesin e projektit të gazsjellësit “Transadriatik”, që kalon në Shqipëri. Kryeministri pohoi se vendimi i fundit i konsorciumit “Shah Deniz”, rrit shanset e projektit TAP, për të qenë projekti fitues për të sjellë gazin nga fusha e gazit “Shah Deniz 2”, në Europën Perëndimore.
“Këto ditë, konsorciumi ‘Shah Deniz’ ka marrë një vendim, i cili rrit shanset e gazsjellësit ‘Transadriatik’ si fitues i njërës prej fushave më të mëdha të gazit në Europë, që është ‘Shah Deniz 2’. Përzgjedhja nuk është bërë ende. Unë i kam parë titujt e gazetave, por përzgjedhja është një proces që finalizohet më muajt që vijnë. Ne jemi të vendosur e të përgatitur të bëjmë gjithçka për suksesin e këtij projekti, në rast se konsorciumi ‘Shah Deniz 2’ e zgjedh këtë si projektin më të mirë, për të sjellë gazin e Kaspikut dhe më vonë, edhe më tutje, atë azer e më vonë më tutje, në Europën Perëndimore”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri tha se projekt madhor i qeverisë shqiptare në vitet e ardhshme do të jetë gazifikimi i vendit, për realizimin e të cilit pritet së shpejti të ngrihet një komitet i posaçëm.
“Ne, tha Kryeministri, jemi i vetmi vend në Europë pa gaz. Shumë shpejt, ne do të ngremë një komitet për gazifikimin e vendit. Gazifikimi i Shqipërisë është një kusht themelor për zhvillimin e vendit, është kusht themelor për të përballuar nevojat në rritje të papërmbajtshme energjetike të vendit. Ndaj cilido që të jetë burimi i gazit që ne do të sigurojmë, projekt ndër më madhorët për vitet që vijnë, në mandatin tjetër, do të kemi gazifikimin e Shqipërisë. Do të fillohet nga puna dhe urojmë e shpresojmë që të vendoset për këtë projekt. Sikundër, pavarësisht nga ky vendim, gazifikimi është jetik për zhvillimin e vendit”.