E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati, qëllohet 17 herë me armë pronari i lokalit

Vendi ku u plagos Eduart Boriçi

Tiranë, Eduart Boriçi sulmohet me “Skorpions” kur po zbriste nga makina.

Policia heton konfliktet e Eduart Boriçit në emigracion.

Pronari i një lokali të njohur pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë i shpëton një atentati nga persona që i kishin zënë pritë pranë shtëpisë së tij. Eduart Boriçi, 34 vjeç, nga Elbasani dhe banues te “Kodra e Diellit” në Tiranë, ka arritur t’i shpëtojë breshërisë së një arme tip “Skorpions”, duke marrë vetëm 2 plumba, nga 17 herë që është qëlluar në drejtim të tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnate, duke gdhirë dita e djeshme, në vendin e njohur si Rezidenca Polake, te “Kodra e Diellit”, në kryeqytet, kur Boriçi sapo ka parkuar makinën e tij, tip “BMVV Seria 7″ dhe ishte drejtuar për në shtëpi. Burime nga grupi hetimor thanë se autorët, ende të paidentifikuar, ishin fshehur pranë një bordure, ku e kanë pritur “shënjestrën” e tyre, derisa ai ka dalë nga garazhi që kishte parkuar makinën. Menjëherë sapo janë përballur me të, kanë qëlluar me breshëri në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur rëndë. Policia tha se në vendin e ngjarjes ka gjetur 17 gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet të jenë të një arme tip “Skorpions”, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Kriminalistikës. Ndërsa policia ka shoqëruar disa dëshmitarë dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, gjithashtu ka pyetur edhe familjarët e Eduart Boriçit, të cilët mësohet se kanë përmendur dy konflikte të tij. Një konflikt të disa ditëve më parë në një tavolinë bixhozi dhe një tjetër që po ashtu lidhet me një shumë të madhe parash, por për të cilat ata nuk dinë asnjë emër.
NGJARJA
Pas njoftimit për atentatin e kryer ndaj Eduart Boriçit, policia ka zbuluar edhe itinerarin që ai ka ndjekur, deri në momentin kur është qëlluar me armë pranë shtëpisë së tij. Sipas burimeve rezulton të ketë qenë ora 01:00 pas mesnate, kur Boriçi sapo kishte parkuar makinën në garazhin e pallatit ku banon dhe ka dalë në rrugë. Pikërisht në atë moment është qëlluar me breshëri në drejtim të tij. Para se të mbërrinte në zonën e “Kodrës së Diellit”, ku banon, 34-vjeçari nga Elbasani kishte qenë te lokali në pronësi të tij, që ndodhet vetëm disa metra larg Ambasadës Amerikane, përballë shkollës së Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Por nga mënyra se si ka ndodhur ngjarja, policia dyshon që autorët kanë qenë duke e pritur dhe mund ta kenë studiuar disa herë zonën ku ndodhi ngjarja, e kanë qenë në dijeni edhe për orarin kur ai zakonisht kthehej në shtëpi.
HETIMI
Nisur nga rrethanat e plagosjes së rëndë të Eduart Boriçit, oficerët e Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit të Policisë së Tiranës kanë nisur procedim penal pa autor, për veprën penale “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë. Fakti që drejt 34-vjeçarit është qëlluar 17 herë me breshëri, sipas Policisë, tregon se atentatorët kanë pasur si qëllim eliminimin e tij. Megjithatë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ka rezultuar se plumbat kanë pasur një rreze të gjerë përhapjeje, çka sipas burimeve tregon se autorët e ngjarjes nuk janë profesionistë. Burime nga grupi hetimor thanë se ende nuk kanë një pistë konkrete për ngjarjen, pasi deri tani nuk kanë zbuluar ndonjë konflikt të Boriçit, madje ai ka rezultuar edhe pa precedentë penalë. Policia tha se është duke verifikuar nëse ai ka pasur ndonjë konflikt jashtë kufijve të Shqipërisë. Me rëndësi për grupin hetimor cilësohet dëshmia e vetë të dëmtuarit, që për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ende nuk është pyetur nga policia.

Mjekimi
Eduart Boriçi ka arritur t’i shpëtojë atentatit, duke u goditur vetëm nga 2 plumba, prej 17 që janë shkrepur me breshëri në drejtim të tij. Ai është transportuar me një makinë të rastit të Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale që ka zgjatur disa orë. Sipas mjekëve, 34-vjeçari ka një plagë në ijë dhe një tjetër në krah. Për shkak të hemorragjisë, gjendja e tij ka qenë mjaft kritike dhe vazhdon të mbahet në terapi intensive në reanimacionin e Spitalit Ushtarak.

Boriçi e vëllezërit, disa biznese
Prej disa vitesh, Eduart Boriçi dhe dy vëllezërit e tij, Vladimir e Shpëtim Boriçi, janë pronarë të disa lokaleve në Tiranë dhe në Elbasan. I plagosuri jeton në Tiranë dhe ka në pronësi një lokal mjaft të njohur përballë shkollës së Gjuhëve të Huaja, ndërsa dy vëllezërit e tij, vazhdojnë të jetojnë në Elbasan dhe kanë në pronësi disa lokale atje. Pas atentatit ndaj 34-vjeçarit në Tiranë, edhe Policia e Elbasanit ka kryer disa verifikime në lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm të vëllezërve të tij. Por, sipas Policisë, edhe Vladimir e Shpëtim Boriçi kanë rezultuar pa probleme dhe pa precedentë penalë, të paktën në Shqipëri.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›