E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukësi mbytet nga plehrat e Kosovës dhe Maqedonisë

Specialisti Arben Palushi, duke treguar mbeturinat në liqenin e Kukësit

Biologu: Mbeturinat në liqen, burim rreziku për njerëzit dhe kafshët.

Re të tëra mbeturinash enden nga t’i dërgojë era këto ditë pranvere në sipërfaqen e liqenit të Kukësit. Në varësi të drejtimit të erës, pirgjet e mëdha të ambalazheve plastike dhe të mbeturinave të tjera enden si ishuj nëpër liqen, duke shëmtuar pamjen dhe duke rrezikuar florën dhe faunën e këtij baseni ujor me sipërfaqe 93 km katrorë nga Fierza deri në kufi me Kosovën. Rritja e nivelit të prurjeve ka rritur dhe sasitë e mëdha me mbeturina që vijnë kryesisht nga Kosova nëpërmjet luginës së Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi nga Maqedonia. Janë përgjithësisht mbeturina plastike, ambalazhe pijesh, ushqimesh, ilaçesh, ku nuk mungojnë dhe sasitë e produkteve në to. Këto janë ndotjet fizike, por në liqen, sipas specialistëve, ka dhe ndotje kimike, pasi në brigjet e këtyre dy lumenjve apo dhe ujërat e zeza në shumicën e rasteve merren nga lumenjtë dhe përfundojnë në liqenin e Kukësit. Ka pasur përpjekje nga dy ministritë e Mjedisit në Shqipëri e Kosovë për ta frenuar fenomenin. Po ashtu, edhe pushteti vendor në të dyja anët e specialistët e higjienës dhe mjedisit i kanë ngritur këto probleme, por ende zgjidhja duket larg. Vlen të përmendet një iniciativë e Këshillit të Qarkut, që pranverën e kaluar ka bërë pastrimin fizik të brigjeve të liqenit në periferi të qytetit të Kukësit, por sërish llava me mbeturina ka mbërritur. Një projekt i komunës së Prizrenit prej 20 milionë eurosh, që synon pastrimin e lumenjve dhe mjedisit, duke penguar hedhjen e tyre në Drin, gjithashtu nuk u finalizua. Biologu dhe studiuesi i ujërave të liqenit, Arben Palushi, e konsideron situatën alarmante.
Zoti Palushi, nga vjen gjithë kjo sasi e madhe mbeturinash?
Këtu jemi pikërisht në vendin e bashkimit të dy Drinave që vijnë nga Istogu i Kosovës dhe Struga e Maqedonisë. Përgjatë udhëtimit nëpër shumë rajone të tjera të banuara sjellin në Kukës mbeturinat e më se 1 milion banorëve, duke shkaktuar ndotjen fizike dhe kimike të ujërave. Ndotja fizike duket me sy se janë mbeturinat urbane të qyteteve, por dhe ndotja kimike sjell prishjen e zinxhirit ushqimor në ujëra dhe sasia e madhe e azotit dhe e fosforit, që sjell Drini i Bardhë në pranverë, është kaq e madhe, sa në verë kemi “lulëzimin e ujit”, që do të thotë mungesë e sasisë së oksigjenit për njësinë e volumit të ujit, që shkakton ngordhjen e zinxhirit ushqimor në disa hallka direkte.
Po në Shqipëri ndoten ujërat?
I vetmi qytet që laget nga këto ujëra në Shqipëri është Kukësi. Duhet thënë se ka pasur vetëm një veprim gjatë vitit të kaluar nga Këshilli i Qarkut Kukës për pastrimin e brigjeve të liqenit. Por, nga ana tjetër edhe Kukësi bën ndotjen kimike të ujërave, sepse derdh ujërat e zeza në liqen. Po ashtu dhe shumë mbeturina e inerte përfundojnë në këto ujëra.
Po pasojat direkte cilat janë?
E para, pakësohet sasia dhe shumëllojshmëria e peshkut. Mbeturinat janë rrezik për njerëzit se janë edhe infektuese, po ashtu dhe për bagëtitë që kullosin përreth ujërave. Ne këtë liqen, që është pasuri e madhe dhe e ka lakmi çdo qytet jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende shumë të bukura, nuk mund ta shfrytëzojmë për turizëm e për peshkim. Këto ujëra thjesht po përdoren vetëm për prodhimin e energjisë elektrike, kur dobia e tyre është e shumëfishtë.

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›