Greqi, shqiptari vetëvritet për shkak të krizës ekonomike
ATHINE – Një shtetas shqiptar është vetëvrarë dje në Greqi pasi është hedhur nga pallati ku banonte. Viktima është një shtetas 38-vjeçar, baba i dy fëmijëve. Ai është hedhur nga ballkoni i shtëpisë së tij në Lerapetra, sipas raportimeve të mediave, për shkak të vështirësive financiare. Policia thotë se shtetasi shqiptar, 38 vjeç, kreu vetëvrasje në Lerapetra të Kretës, duke u hedhur nga ndërtesa ku banonte në mënyrë krejt të papritur. Kanë qenë fqinjët ata që dëgjuan britmat e disa grave, ndërsa poshtë në rrugë gjetën kufomën e shtetasit shqiptar. Ai kishte marrë lëndime të rënda në kokë dhe pas rënies në tokë ishte pa shenja jete. Sipas të dhënave të Policisë greke, mësohet se në kohën kur ka ndodhur vetëvrasja e 38-vjeçarit nga Shqipëria, gruaja dhe dy fëmijët e tij ndodheshin në Shqipëri. I gjendur vetëm në banesë, dyshohet se shtetasi shqiptar ka kaluar momente depresive dhe për pasojë është hedhur nga ballkoni i apartamentit. Forcat e Policisë, që shkuan në vendngjarje, nuk arritën t’i japin ndihmë viktimës, ndonëse dërguan trupin e pajetë në spital e më pas e kaluan atë për shërbimin mjekoligjor të autopsisë në Heraklion. Disa dëshmitarë i kanë thënë policisë se viktima po kalonte prej kohësh probleme serioze financiare dhe ishte i papunë prej një kohe të gjatë. Për dokumentimin e ngjarjes mësohet se është ngritur një grup hetimi ndërsa mësohet se pritet edhe marrja në pyetje e të afërmve të viktimës. Në Greqi gjendja psikologjike e qytetarëve është ndikuar ndjeshëm nga kriza ekonomike që po kalon vendi. Problemet depresive sipas studimeve të medias kanë prekur një në çdo dy persona. Po kështu, disa studime tregojnë se ¼ e popullsisë mund të jetë në gjendje ankthi apo depresioni për çështje financiare të jetës së përditshme. Tri ditë më parë, një pensionist 77-vjeçar kreu vetëvrasje pranë Parlamentit në Greqi. Ai tha se nuk dëshironte t’u linte borxh fëmijëve të tij dhe më pas qëlloi veten me pistoletë në kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.