E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Policia dhe SHISH duhet të bëjnë më shumë për t’i parandaluar këto ngjarje

Nga Armand Maho

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke vizituar anëtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, i cili gjendet i shtruar dhe nën kontrollin e mjekëve në Spitalin Ushtarak pas një sulmi me armë zjarri ndaj tij, tha se policia dhe shërbimet sekrete duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar ngjarje të tilla.

“Padyshim është një ngjarje mjaft e rëndë. Fatmirësisht, zoti Nuni ka shpëtuar pa dëmtime serioze, por ajo që është më serioze është pikërisht tentativa e këtyre agresorëve për të sulmuar sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë natyrisht përbëhet nga individë sikurse zoti Nuni, të cilët gjatë gjithë karrierës së tyre janë munduar që të bëjnë drejtësi. Por, cili është apeli? Apeli është shumë i rëndësishëm në të tilla raste. Duhet që organet specifike, jo ato që do të japin drejtësi, por ato që duhet të parandalojnë situata të tilla, sikurse janë shërbimet inteligjente, policia kriminale dhe struktura të tjera të specializuara duhet të bëjnë një punë më të madhe paraprake dhe të mos vijnë të bëjnë vetëm bilancin, kur ndodhin situata, sepse profilaksia për të mbrojtur jetën e çdo qytetari është shumë e rëndësishme.

Unë mendoj që sistemi i drejtësisë në Shqipëri do të vazhdojë të operojë me më shumë profesionalizëm dhe jam i bindur që organet e policisë do të bëjnë të mundur identifikimin e autorit dhe sikurse tentativa ka qenë ekstreme, patjetër që edhe gjykimi duhet të jetë me masa ekuivalente, që do të thotë që të jepet drejtësi vetëm mbi bazën e shtetit ligjor”, - tha Topi.

Pyetjes lidhur me mundësinë e ndryshimeve ligjore për garantimin e jetës për funksionarët e lartë të shtetit, presidenti Topi iu përgjigj duke thënë se jeta e çdo qytetari është e rëndësishme: “Unë besoj se këtu nuk është çështja vetëm për funksionarët e lartë të shtetit, sepse nuk mund të bëjmë një ndarje midis kategorive shoqërore, njerëzve të veshur me pushtet dhe njerëzve pa pushtet. Është shumë, shumë e rëndësishme që të forcohet shteti ligjor, ku çdo qytetar i Shqipërisë të jetë i sigurt kudo ai punon dhe jeton dhe besoj që ka vend për përmirësim të ligjit dhe mbi të gjitha një përmirësim të përkushtimit dhe profesionalizmit të njerëzve, që punojnë në struktura që duhet të bëjnë parandalimin e këtyre situatave”, - tha Topi.

I pyetur për mbi domethënien e këtij sulmi të parë ndaj një përfaqësuesi kaq të lartë të drejtësisë, kryetari i shtetit tha: “Të mos kthehemi në retrospektivë, sepse vite më parë është ekzekutuar dhe avokati Koçi, i nderuari zoti Koçi. Unë mendoj se, pavarësisht nga kjo situatë, reformat që janë bërë në drejtësi dhe përkushtimi i njerëzve që merren me drejtësinë sigurisht që kanë një progres. Nuk besoj që të jetë pjesë ky moment, por duhet parë dhe duhet zbardhur ngjarja nga organet kompetente. Unë mendoj që të flasësh përpara organeve kompetente në këtë moment do të ishte gabim dhe do të ishte paragjykim. Kështu që le t’i lëmë organet kompetente, që të shprehen në mënyrë profesionale dhe objektive në momentin e duhur”.

Interesimit të gazetarëve, nisur nga kjo situatë, për rishikimin e funksionimit dhe të organizimit të shërbimeve sekrete, presidenti Topi iu përgjigj: “Unë, kur dhashë apelin, e dhashë për shumë struktura dhe natyrisht që në të gjitha strukturat ka vend jo vetëm për përmirësim, qoftë në organizim, në struktura, por mbi të gjitha në përkushtimin e individëve specifikë, sepse ata që punojnë, kudo që punojnë, qoftë në organet e policisë, të inteligjencës, por edhe të administratës shtetërore, cilido duhet të punojë me seriozitet dhe përkushtim, sepse cilido mund të bëhet barrierë dhe të bëhet paralizues për situata të tilla”.

Berisha: Të dalë para ligjit autori i këtij akti kriminal

Në një deklaratë për mediet, zëdhënësja e kryeministrit, Sali Berisha, tha se kreu i ekzekutivit dënon me ashpërsi atentatin ndaj një anëtari të Gjykatës së Lartë.

“Kryeministri Berisha ka kërkuar nga autoritetet kompetente të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura për të gjetur dhe vënë përpara ligjit autorin e këtij akti tejet kriminal.

Mbrëmë pas mesnatës kryeministri Berisha ka vizituar të plagosurin në Spitalin Ushtarak. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Berisha, i cili shoqërohej edhe nga ministrja e Shëndetësisë, zonja Anila Godo, i uroi gjykatësit Ardian Nuni shërim sa më të shpejtë. Gjithashtu, kryeministri Berisha bisedoi me personelin mjekësor dhe u interesua nga afër mbi gjendjen e gjykatësit Ardian Nuni. Mjekët e siguruan kryeministrin e vendit se zoti Nuni është jashtë rrezikut për jetën dhe po kurohet me të gjithë asistencën e nevojshme”, - thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Kryeministrisë.

Ruçi: Shteti duhet të krijojë më shumë siguri

Partia Socialiste ka reaguar ndaj sulmit me armë që iu bë mbrëmë anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, e ka cilësuar si akt të shëmtuar ndaj drejtësisë plagosjen e Nunit dhe, sipas tij, shteti duhet të kontribuojë më shumë për sigurinë e të gjithë njerëzve. Gramoz Ruçi, së bashku me Sekretarin për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, e vizituan nga afër në Spitalin Ushtarak gjyqtarin Ardian Nuni, duke i uruar shërim të shpejtë.

Për mediet, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi, u shpreh: “Të gjithë kemi nevojë për sistemin shëndetësor dhe gjyqësor. Kur preket një anëtar i Gjykatës së Lartë, mendoni se sa i sigurt është një qytetar i thjeshtë në rrugët e këtij vendi. Ky është një apel për politikën shqiptare dhe veçanërisht për mazhorancën dhe ekzekutivin aktual.”

Topalli: Janë arrestuar 15 persona për këtë ngjarje

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi në mëngjes në Spitalin Ushtarak anëtarin e Gjykatës së Lartë Ardian Nuni, të plagosur një natë më parë pranë banesës së tij.

Kryetarja e Kuvendit dënoi agresionin ndaj gjyqtarit Nuni por, vijoi ajo, është e rëndësishme që tashmë ai është jashtë çdo rreziku për jetën. Kryetarja e Kuvendit tha se policia ka ndaluar tashmë disa persona dhe kërkoi që Prokuroria e Përgjithshme të hetojë deri në fund. E pyetur nga mediet ajo tha se tashmë ka mbi 15 të arrestuar për këtë ngjarje.

KShH: Të hetohet me paanësi

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) iu ka kërkuar organeve të drejtësisë të hetojnë me paanësi ngjarjen ku mbeti i plagosur një anëtar i Gjykatës së Lartë. “Sipas njoftimeve të medias, në afërsi të banesës së tij u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar gjyqtari i Gjykatës së Lartë dhe më pas u dërgua në urgjencën e Spitalit Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. KShH i uron z. Ardian Nuni, familjes dhe të afërmeve të tij, shërim të shpejtë.

Duke vlerësuar faktin që z. Nuni ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë, të instancës më të lartë të pushtetit gjyqësor, ka dyshime se autori ose autorët e kësaj ngjarjeje kanë dashur t’i marrin atij jetën për shkak të detyrës.

KShH dënon ashpër këtë akt të rëndë kriminal dhe e konsideron atë si një presion që i bëhet jo vetëm individëve të veçantë, por edhe gjykatave në tërësi që sipas Kushtetutës së RSH janë të pavarura.

KShH i sugjeron organeve përkatëse që të hetojnë me përparësi, në mënyrë të gjithanshme dhe objektive këtë ngjarje të tipit mafioz, të zbulojnë autorin/ët dhe motivet e vërteta dhe të venë para përgjegjësisë ata.

Për KShH kjo ngjarje është një sinjal domethënës që tregon nevojën për të marrë në mbrojtje efektive sidomos gjyqtarët që ndihen të kërcënuar, për të rritur sigurinë në gjykatat që japin drejtësi dhe në organet e tjera të specializuara në luftën kundër kriminalitetit. Rritja e sigurisë së tyre i shërben rritjes së pavarësisë, forcimit të shtetit ligjor dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të shtetasve”, - thuhet në deklaratën e KSHH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›