E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati te "Komuna e Parisit", vdes 25-vjeçarja

Ka ndërruar jetë në spitalin Ushtarak 25-vjeçarja Megi Jokiçi e cila u plagos mbrëmjen e djeshme te "Komuna e Parisit" në kryeqytet.

25-vjeçarja edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale nuk ka mundur të jetojë për shkak të plagëve që i dëmtuan fatalisht organet jetësore. Megi Jokiçi ishte plagosur në nofull dhe fillimisht u tha se ishte jashtë rrezikut për jetën, por vajza ka dhënë jetë pas mesnatës në Spitalin Ushtarak, pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Ndërkohë gjatë ngjarjes ka mbetur i plagosur edhe 27-vjeçari Aleksandër Gocaj i cili ndodhet në spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, dyshohet se të shtënat ishin drejtuar ndaj Gocajt por plumbat kanë prekur edhe 25-vjeçaren Jokiçi. Ndërkohë policia po vijon hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

Ndërkohë Tirana është tronditur nga dy vrasje në harkun kohor të pak orëve mbrëmjen e djeshme. Më herët një grua rreth 35- vjeçare u qëllua për vdekje me armë zjarri. Ngjarja e rëndë është shënuar në Shkozë, ndërsa viktima është Eleni Basho.

Viktima mësohet se ka qënë me profesion farmaciste, dhe në momentin që është qëlluar ishte duke u kthyer nga puna. Policia ende nuk ka një pistë zyrtare për ngjarjen, ndërsa po heton për zbardhjen e plotë të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›