Reshjet e dëborës, vijojnë ende problemet në të gjithë vendin

Reshjet e dëborës të rëna gjatë ditëve të fundit kanë izoluar pjesën më të madhe të vendit, duke sjellë bllokimin e akseve rrugore dhe vështirësi të shumta në qarkullimin e automjeteve.
Sipas informacioneve probleme ka pasur në qarkun e Korçës ku në akset nacionale Korçë-Pogradec, Korçë-Kapshticë, Pogradec-Qafë Thanë, Korçë-Ersekë qarkullimi i automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Mësohet se në Qafë Thanë trashësia e dëborës ka arritur në 1 metër ndërsa zona turistike e Dardhës mbetet ende e bllokuar.
Gjithashtu mësohet se dhjetë komuna në qarkun e Korçës dhe përkatësisht Moglica, Lekasi, Vithkuqi,Trebinja, Miras, Proptisht, Barmash, Novoselë, Leskovik, Çlirim mbeten ende të bllokuara nga dëbora
Problemtatike paraqitet situata edhe në qarkun e Dibrës ku shumica e komunave të këtij qarku mbeten ende të bllokuara nga dëbora. Kështu të izoluara nga dëbora mbeten komunat Lurë, Kala e Dodës, Sllovë, Ostren, Zerçan, Xibër, Muhur, Macukull ndërsa në disa zona të Trebishtit trashësia e dëborës ka arritur deri në një meter.
Mësohet se gjatë natës policia ka ndihmuar dy persona të bllokuar me makinën në rrugë në Fushë Bulqizë. Sipas informacioneve dy personat kishin mbërritur nga Italia, udhëtonin drejt Bulqizës, ku mbetën të bllokuar në Fushë Bulqizë.