E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina e shqetësuar për procesin e censusit në Shqipëri

Ministri i Jashtëm grek, Stavros Dimas, ka deklaruar për mediat vendase se nuk është respektuar minoriteti grek gjatë këtij procesi.

“Ministria e Jashtme greke ka ndjekur me vëmendje të veçantë të gjitha zhvillimet, që kanë të bëjnë me procesin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri dhe ka kërkuar si nga instancat evropiane dhe ato shqiptare, që të respektohet dhe garantohet pacenueshmëria e procesit si dhe regjistrimi pa pengesa i pakicës etnike greke kudo ku ajo ndodhet”, ka deklaruar ai.

Dimas shtoi se qeveria shqiptare bëri ndryshime në pyetësor që parashikonte edhe gjoba për deklarimet e rreme. “Qeveria shqiptare bëri ndryshime në pyetësor, dhe vendosjen e pengesave për procesin, duke përfshirë gjobat, në mënyrë që të pengojë regjistrimin e qytetarëve me origjinë greke dhe të dekurajojë ata që duan të deklarohen grekë”, është shprehur kryediplomati helen.

Sipas tij, vendimi i minoritetit grek për të bojkotuar procesin e regjistrimit është një tregues i qartë i mungesës së besueshmërisë.  “Ky fakt, por edhe akuzat për manipulim të të dhënave gjatë procesit të regjistrimit ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi rezultatet, që do të ketë censusi në Shqipëri, sidomos sa i përket minoriteteve”, ka thëne Dimas.

"Greqia ka investuar gjithmonë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Shqipërinë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, duke e konsideruar dukshëm në këtë drejtim, mbrojtjen e të drejtave të pakicës greke, e cila përbën një urë të miqësisë midis dy vendeve", vijon.  /Start/

                                                                                             2011-12-20 13:16
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›