Balla: Islami theu qëllimisht rregulloren e PS
“Nuk mund të vazhdojë të jetë pjesë e grupit socialist, personi apo persona që shkelin vendimet e tij.”Nën këtë motivacion e ka justifikuar vendimin për çrregjistrimin nga grupi parlamentar socialist të Kastriot Islamit, deputeti i PS-së Taulant Balla. Në një dalje të tij për shtyp pas vendimit të marrë nga mbledhja e grupit të Partisë Socialiste Balla sqaroi se mosprania e Islamit në seancën parlamentare për votimin e kreut të KLSH-së ishte një shkelje e qëllimshme dhe e vetëdijshme nga ana e tij , pasi po sipas tij qoftë votimi kundër apo pjesmarrja në parlament ishin të detyrueshme.
“ Me 4 vota kundër dhe 2 abstenim grupi socialist miratoi vendimin statutor për thyerje rregulloreje nga ana e deputetit Kastriot Islami. Zbatimi i normës statutore është vendosur në kolegjialitet të plotë. Qoftë pjesmarrja në votim apo unifikimi ishin të detyrueshme , ishte pasojë e paralajmëruar dhe përsëri Islami shkeli vendimin politik. Falenderoj deputetët e tjerë që pavarësisht arsyeve që patën morën pjesë në parlament dhe mirëkuptoj pamundësinë e Majkos për të mos qenë i pranishëm. Islami u largua nga vendimi me vetëdije të plotë, çka solli dhe vendimin e Partisë Socialiste për çregjistrimin e tij nga grupi parlamentar socialist”-deklaroi ai.
Më tej ai shtoi se nuk mund të lejohen situata të tilla pasi janë në dëm të vazhdimësisë së punës së kësaj partie. “Islami vendosi të shkojë në rrjedhën e kundërt me PS-në dhe si rrjedhojë ai nuk mund të jetë më pjesë e saj”-përfundoi Balla.
Deputeti Kastriot Islami është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste gjatë ditës së sotme. Vendimi është marrë në mbledhjen grupit i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura ku deputetët socialistë kanë votuar pro përjashtimit të Islamit. Mësohet se 4 deputetë të Partisë Socialiste kanë votuar kundra përjashtimit të Islamit nga grupi ndërsa dy të tjerë kanë abstenuar. Kështu deputetët Arben Malaj, Tom Doshi, Hazir Gashi dhe Marko Bello kanë votuar kundër përjashtimit të Islamit ndërsa abstenuan deputetët Et`hem Ruka dhe Pandeli Majko.