E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS sqaron arsyet e përjashtimit të Islamit

“Me vetëm katër vota kundër dhe dy abstenime Grupi Parlamentar Socialist miratoi zbatimin e normës statutore të Partisë Socialiste për çregjistrimin nga grupi të deputetit Kastriot Islami, për thyerje të vendimit politik të grupit lidhur me votimin kundër kandidaturës së Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në seancën e kaluar të Kuvendit të Shqipërisë”, tha fillimisht Balla.

Ai shtoi se zbatimi i kësaj norme statutore është vendosur në kolegjialitet të plotë nga Grupi Socialist përpara seancës dhe çdo deputet e ka pasur të qartë paraprakisht detyrimin statutor për zbatimin e vendimit politik. “Deputeti Kastriot Islami u largua nga votimi duke e shkelur vendimin politik plotësisht i vetëdijshëm për përmbajtjen e normës statutore në rastin e kësaj shkeljeje, çka nënkupton automatikisht çregjistrimin e tij nga Grupi Parlamentar Socialist”, tha ai më tej.

 “Partia Socialiste është një bashkim i lirë njerëzish që besojnë në vlerat e lirisë, drejtësisë, solidaritetit dhe bashkëjetojnë në diversitetin e mendimeve në respekt të njëri-tjetrit e të vlerave e normave të pranuara bashkarisht.  Cënimi i tyre s’mund të bëhet në asnjë mënyrë sfidë ndaj familjes sonë të përbashkët politike dhe vendimmarrjes së saj në funksion të vizionit e të misionit të Partisë Socialiste. E cila si forcë e madhe politike e Shqipërisë që bën pjesë në Internacionalen Socialiste dhe familjen e socialistëve europianë, nuk i njeh asnjë anëtari të Grupit të saj Parlamentar të drejtën e qëndrimit në grupin e deputetëve duke shkelur vendimmarrjen politike të grupit”, tha gjithashtu.

Deputeti Kastriot Islami ndryshe nga gjithë të tjerët-vijoi Balla- vendosi të shkojë në drejtimin e kundërt me frymën e këtij mirëkuptimi dhe përmbajtjen e kësaj vendimmarrjeje të mishëruar edhe në vendimin politik të thyer prej tij. Për gjithë sa më sipër nga sot Kastriot Islami u çregjistrua si deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-12-20 15:57
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›