E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina i frikësohet rritjes së kostos së huamarrjes

Greqia mund të fillojë negociata të mbyllura me bankat për të marrë borxhe për herë të dytë në pak javë, për shkak se investitorët kërkojnë interesa tepër të larta për bondet konvencionale, njoftoi dje agjencia e lajmeve “Bloomberg”. Vendimi për këtë mund të merret pasi të shikohet reagimi i tregjeve ndërkombëtare ndaj planit të qeverisë së Athinës për stabilizimin e buxhetit. Negociatat direkte me kreditorët e mundshëm zakonisht fillojnë pasi përpjekjet për emetimin e bondeve dështojnë. Sipas Spyros Papanikolaou, drejtori i menaxhimit të borxhit publik të Greqisë, opsioni tani është që të nisin bisedimet për kredi sindikale.
Qeveria greke njoftoi tetorin e kaluar se borxhi i saj publik për vitin 2009 qe 12.7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 3 për qind që duhej të ishte realisht sipas kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian. Ky lajm bëri që tre agjencitë kryesore të vlerësimit të besueshmërisë së vendeve të ulnin vlerësimin për Greqinë. Bondet dhjetëvjeçare të qeverisë greke kushtojnë sot 2.77 për qind më shumë se sa bondet dhjetëvjeçare të qeverisë gjermane. Gjatë dekadës së fundit, bondet greke kanë kushtuar zakonisht jo më shumë se 0.55 për qind më shumë se ato gjermane. Tani zyrtarët në Athinë besojnë se zgjedhja e investitorëve jashtë rregullave të ankandit mund të shmangë rritjen e mëtejshme të interesave.
“Nëse vendosim të negociojmë kredi sindikale, atëherë do ta bëjmë këtë nga fundi i janarit”, tha Papanikolaou. Investitorët e rëndësishëm dhe Greqia po luajnë aktualisht si macja me miun. Greqia ka nevojë të emetojë 54 miliardë euro borxhe të reja dhe dëshiron të negociojë me banka miqësore (kryesisht ato vendëse), për t’i shpëtuar vlerësimit të tregjeve. Në dhjetor, Greqia mori 2 miliardë euro borxhe përmes negociatave direkte pa ankand. Këtë javë, zyrtarët e financave të 27 vendeve anëtare të BE-së pritet të dalin në konkluzionin nëse e shohin si të besueshëm planin e Greqisë për reduktimin e deficitit buxhetor apo jo.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›