Miratohet ligji, termocentralet do të paguajnë eksperimentet me energji ambientale

Termocentralet ekzistuese apo ato që do të ndërtohen në të ardhmen do të detyrohet të paguajnë ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë me burime të rinovueshme, ndërsa qeveria shqiptare do të mund të subvencionojë një pjesë të kostos së ndërtimit, sipas një ndryshimi ligjor që u miratua në Parlament në dhjetor.
“Prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike nga burime jo të rinovueshme energjie, me kapacitet mbi 50 MW, janë të detyruar të prodhojnë dhe/ose injektojnë në sistemin elektroenergjetik energji elektrike në masën jo më pak se 3 për qind të prodhimit të tyre të përgjithshëm vjetor të vitit pararendës, nga centrale prodhuese që përdorin burime të rinovueshme”, thuhet në ligjin e ri. Kjo kuotë do të rritet me 0.75 për qind në vit në periudhën 2010-2012.
Në këtë mënyrë pritet që projektet e energjisë së erës apo burimeve të tjera të pastra të gjejnë blerës të sigurt. Aktualisht në Shqipëri ka vetëm termocentrali i Vlorës me fuqi 93 MW dhe që funksionon në formën e një kompanie të veçantë nën pronësinë e KESH-it. Por Shqipëria ka licencuar edhe ndërtimin e një termocentrali me madhësi 2 mijë MW, që mund të ndërtohet gjatë viteve të ardhshme në Porto Romano.
Subvencione edhe nga qeveria
Përveç detyrimit të termocentraleve për të blerë energji të pastër, ligji i fundit i jep mundësi qeverisë të miratojë të ashtuquajturat “feed-in tariff”, si edhe të nxisë ndërtimin e impianteve të energjisë së rinovueshme.
“Këshilli i Ministrave autorizohet të ndërmarrë nisma nxitëse dhe mbështetëse për ndërtimin e centraleve që shfrytëzojnë energji të rinovueshme. Brenda gjashtë muajve Këshilli i Ministrave duhet të miratojë mekanizmat e nxitjes... si edhe të përcaktojë incentivat për ndërtimin e këtyre centraleve”, shkruhet në ligjin e ri.
Si funksionon
Në shumë vende të zhvilluara, qeveritë përdorin paratë e taksapaguesve për të financuar pjesërisht koston e ndërtimit të impianteve të energjisë së rinovueshme, si edhe paguajnë tarifa të posaçme (feed-in tariff), për energjinë e prodhuar në mënyrë të pastër. Vendet e varfra nuk kanë mundësi të paguajnë subvencione të tilla, por mund të përfitojnë nga subvencionet e vendeve të pasura. Qeveria shqiptare ka miratuar disa dhjetëra licenca për ndërtimin e kullave të prodhimit të energjisë me anë të erës apo për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël që klasifikohen si burime të rinovueshme energjie.
Disa kompani italiane dhe italo-shqiptare shpresuan se do të përfitonin subvencionet e Bashkimit Europian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ndërtimin e parqeve eolike, por deri më sot, asnjë projekt i tillë nuk ka nisur. Energjia e erës është jashtëzakonisht e kushtueshme dhe e paleverdishme nga pikëpamja ekonomike, por në shumë vende të zhvilluara, qeveritë e subvencionojnë këtë industri me shpresë se do të zëvendësojë termocentralet ndotëse në të ardhmen.
Tarifat ndihmëse
Qeveria shqiptare pritet të shpallë brenda gjashtë muajve të ardhshme tarifat ndihmëse për energjinë e rinovueshme, pasi Enti Rregullator i Energjisë të kryejë studimet përkatëse. Tarifat ndihmëse rëndojnë mbi xhepat e konsumatorëve, pasi konsiderohen pjesë e kostos së furnizimit me energji. Në vende të ndryshme zbatohen tarifa të ndryshme. Në Serbi, p.sh., tarifat ndihmëse për energjinë e erës u përcaktuan në masën 9.5 cent të euros për kilovat/orë të prodhuar, ndërsa për energjinë e erës tarifa ishte 23 cent të euros.
Kritikat
Skemat e subvencionimit të energjisë së rinovueshme janë denoncuar në të katër anët e botës për spekulime të mëdha dhe për mungesë rentabiliteti ekonomik. Hetime të ndryshme të kryera në shumë vende europiane kanë nxjerrë në pah mashtrime nga zhvilluesit e impianteve të erës me vlerë prej dhjetëra milionë euro, fonde që janë përfituar nga subvencionimet e Bashkimit Europian apo nga vende të ndryshme anëtare.
Kritikët e subvencionimeve për energjinë e rinovueshme thonë se qeveritë po bien pre e spekulimeve teknologjike dhe e agjitacionit mjedisor, gjë që i ka detyruar të shpenzojnë miliarda euro për të ndërtuar impiante që prodhojnë energji, që shpesh nuk konsumohet apo humbet në rrjet, ndërkohë që përfitimet ambientale të së ashtuquajturës “energji e gjelbër” janë të dyshimta.