Shumica ndryshojnë emrin për t’iu shmangur uljes së pragut vjetor. Hyn në fuqi ligji
Hyn në fuqi kalimi i një pjese të biznesit të vogël në sistemin e TVSH-së. Nga data 1 janar, tatimet kanë nisur regjistrimin e bizneseve me xhiro mbi 5 milionë lekë, duke i futur në procedurën e pagesës së 20 për qind TVSH. Për t’iu shmangur detyrimeve të reja administrative, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve të vogla kanë preferuar të mbyllin aktivitetin, duke kërkuar çregjistrim në QKR dhe Tatime. Mbyllja e aktivitetit dhe hapja një biznesi të ri që ndryshon nga i vjetri vetëm nga emri, i çliron subjektet nga detyrimi për të paguar TVSH-në. Këtë shpjegim e japin shumë ekspertë kompanish private. Të dhënat operative flasin për rreth 4 mijë subjekte private të vogla, të cilat kanë deklaruar mbylljen e aktivitetit. Numri mund të jetë më i madh po t’i referohemi situatës kritike që po kalon ekonomia. Ndërkaq administrata tatimore ka ngritur grupe pune të posaçme për të përballuar me sukses procesin e kalimit të bizneseve në sistemin e ri tatimor. Ligji i miratuar nga qeveria ka hyrë në fuqi që më 1 janar dhe afati për regjistrim shkon deri më 15 janar. Për të pasur një menaxhim sa më pozitiv, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, u ka shpërndarë degëve nëpër rrethe udhëzimin mbi procedurën që duhet ndjekur.
Shpëtimi
Edhe pse konsiderohet një taksë që nuk e rëndon direkt biznesin, TVSH me shkallë tatimore 20 për qind shikohet nga subjekti i vogël si barrë e rëndë që çon në faliment. Kalimi në TVSH rrit disa detyrime administrative, si bilanci, numri i punonjësve apo ekonomisti, por jo taksat direkte, pasi ato do të vijojnë të jenë të njëjtat. Administrata tatimore parashikon se ligji i ri i TVSH-së prek rreth 13 mijë biznese të vogla, me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë. Këto biznese si dhe të tjerat me xhiro deri në 8 milionë lekë do të vijojnë të jenë subjekte të vogla nën administrimin e njësive vendore. Ulja e pragut bëhet thjesht për zgjerimin e skemës së TVSH-së. Megjithatë një problem i madh vazhdon të mbetet bilanci dhe llogaritja e të ardhurave, pasi subjektet e njësive vendore kanë punuar me sistemin e bashkive dhe tani që kalojnë me TVSH u duhet të futen në të tjera procedura, të panjohura për to. çregjistrimi i 4 mijë subjekteve mund të konsiderohet një proces normal i stadit të biznesit, por në rastin konkret ekspertë të ndryshëm e shikojnë si mjet për t’iu shmangur ligjit të ri.
Procedurat e reja
Bizneset që tejkalojnë ose parashikohet të tejkalojë 5 milionë lekë për këtë vit kalendarik janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda 15 ditëve. Kjo kategori tatimpaguesish do të vazhdojë të jetë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël, taksës vendore pranë bashkive apo komunave dhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore si dhe TAP-in, detyrimi ndaj të cilit për deklarim do të vazhdojë të jetë çdo tre muaj. Deklarimi i parë për TVSH-në për tatimpaguesit e regjistruar në janar 2010 do të jetë më 1-14 shkurt 2010. Edhe pse ndryshon status, biznesi që kalon me TVSH do të vazhdojë të mbajë të njëjtin numër identifikimi të personit të tatueshëm (NIPT).