Deficiti buxhetor për 2009 fluturon në mbi 7 për qind të PBB-së
Qeveria shqiptare ka rritur deficitin buxhetor të vitit 2009 me 6.8 miliardë lekë ose 51 milionë euro me anë të një akti normativ të miratuar më 23 dhjetor dhe që u publikua vetëm dje në Fletoren Zyrtare. Shtimi i deficitit buxhetor erdhi si pasojë e gjendjes së vështirë financiare të krijuar nga rritja e vrullshme e shpenzimeve dhe rënia e të ardhurave. Në total, sipas aktit normativ, deficiti buxhetor për vitin që sapo u mbyll arriti në 81.6 miliardë lekë (605 milionë euro), ose 6.94 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Qeveria pati programuar në fillim të vitit të kaluar një deficit buxhetor prej 50 miliardë lekësh ose 4.2 për qind të PBB-së. Ky është deficiti më i lartë buxhetor i regjistruar në Shqipëri që nga viti 2000.
Sipas aktit normativ, plani i të ardhurave u reduktua në 320 miliardë lekë, nga 335 miliardë që ishte parashikimi i fillimit të vitit, ndërkohë që shpenzimet u rritën në 401.5 miliardë lekë nga 385 miliardë që ishte parashikimi i fillimit të vitit.
Buxheti në vështirësi
Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillon që Shqipëria të ketë një deficit buxhetor prej jo më shumë se 3.5-4 për qind të PBB-së, por gjatë dy viteve të fundit, deficiti është shtuar me ritëm marramendës. Në vitin 2009, dëshira për të rritur paga e pensione para zgjedhjeve si dhe shuma e stërmadhe e parave e shpenzuar në rrugën Rrëshen-Kalimash, shoqëruar me rënien e të ardhurave nga kriza ekonomike dhe financiare, e dërguan buxhetin e shtetit në vështirësi të stërmëdha. Në muajin dhjetor, qeveria urdhëroi mosshpërndarjen e pagave dhe pensioneve disa ditë para afatit, një praktikë që ndonëse është e paligjshme, qe toleruar gjatë së gjithë dekadës së fundit për shkak të vlerës kulturore të vitit të ri si festa e bollëkut. Qeveria ka premtuar të fillojë të shpërndajë pagat dhe pensionet, duke filluar nga data 7 janar.
Të dhënat për të ardhurat e buxhetit për periudhën janar-nëntor, paraqesin pamundësinë e qeverisë për të ulur shpenzimet si dhe të ardhurat e mangëta. Për muajt tetor dhe nëntor, tatimet lëshuan gjoba me vlerë të përgjithshme prej 50 milionë eurosh, gjoba që u përdorën për të mbuluar shpenzimet më urgjente të deficitit.
Bien të ardhurat
Të dhënat e buxhetit të shtetit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto paraqesin një përkeqësim të dukshëm te të ardhurat. Qeveria pati planifikuar të arkëtonte 26.1 për qind të PBB-së në formën e taksave dhe tatimeve, por në aktin normativ rezulton se këto të ardhura do të jenë vetëm 24.5 për qind. Në një situatë të tillë, çdokush mund të mendojë se vitin e shkuar evazioni fiskal është rritur me mbi 100 milionë euro. Në fakt, ekspertët thonë se është shifra e Prodhimit të Brendshëm Bruto e gabuar. Qeveria ka parapëlqyer të vlerësojë gjithmonë të lartë PBB-në, gjë që nuk është shoqëruar me rritje në të njëjtën masë në të ardhurat e buxhetit. Për vitin 2009, qeveria ka vlerësuar rritjen ekonomike në masën 5.8 për qind. Në fakt, të ardhurat e buxhetit tregojnë se rritja e PBB-së këtë vit nuk ka qenë më shumë se 1-2 për qind.