E Diel, 1 Nëntor 2026

Athina kërcënon Shkupin: Do të bllokojmë anëtarësimin në BE



Kryediplomatja greke Dora Bakojanis ka kërcënuar Shkupin se Greqia nuk do të lejojë që Maqedonia të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE pa u zgjidhur më parë çështja e emrit. Bakojanis ka deklaruar nga Brukseli se Athina zyrtare është në kontakt të vazhdueshëm me Komisionin Europian, për t’u siguruar se raporti për Maqedoninë që do të publikohet javën e ardhshme të pasqyrojë realitetin në vend. Ndërkohë Maqedonia ka hedhur poshtë kërkesën e Greqisë për përdorim të plotë të emrit të ardhshëm të vendit dhe këmbëngul në formulën e emrit të dyfishtë për zgjidhjen e konfliktit me Athinë. Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, në një intervistë theksoi se 126 vende kanë njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues dhe se Shkupi nuk do të heqë dorë nga ky emër. “Kemi të drejtën legjitime për këtë. Prandaj, qëndrimi i Greqisë që çdo emër i vendit në të ardhmen duhet të përdoret edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera nuk duket shumë serioz. Për këtë arsye ne këmbëngulim në formulën e emrit të dyfishtë. Ajo që është kërkuar duhet të respektohet dhe çfarë pritet në të ardhmen duhet të jetë rezultat i pranuar nga dy palët”,- deklaroi Ivanov.

Hagë
Ish-presidentja Pllashviç merr lirim të përkohshëm
Gjykata e Hagës ka marrë vendimin që ish-kryetarja e Republikës Serbe të Bosnjës, Bilana Pllavshiç, të lirohet, pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit të shqiptuar. Në vendimin për faljen e saj, kryetari i Gjykatës së Hagës thotë se me ligjet suedeze, më 24 tetor të këtij viti, Pllavshiç do të vuajë dy të tretat e dënimit dhe tre ditë më vonë, më 27 tetor, fiton të drejtën për lirim të parakohshëm. Pllavshiç, 79 vjeçe, është dënuar me 11 vjet heqje lirie në vitin 2003 për krime kundër njerëzimit.

SHBA
FBI-ja, aksion në lagjet e Nju Jorkut
Një lagje në Nju Jork është bastisur nga skuadrat speciale të FBI-së në kuadër të një hetimi kundër terrorizmit. Agjentët federale, filluan ekzekutimin e disa urdhër-arresteve për disa të kërkuar që banonin në Kuins. Burime që kanë preferuar të ruajnë anonimatin kanë deklaruar për mediat amerikane se bastisjet u bënë pas një misioni mbikqyrës të kryer nga agjentët federalë, të cilët do të japin sqarime në Kongres për operacionin e zhvilluar. Zëdhënësi i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut konfirmoi se hetimet u zhvilluan nga agjentë të anti-terrorit.

Turqi
Do të mbahet samiti për çështjen bërthamore
Takimi mes Iranit dhe fuqive të mëdha mbi çështjen bërthamore, i parashikuar për më 1 tetor, do të mbahet në Turqi. Lajmin e ka bërë të ditur shefi i diplomacisë europiane, Havier Solana, përmes një komunikate për shtyp. Në samit do të marrin pjesë bashkë me Solanën dhe negociatorin iranian Said Jalili, përfaqësuesit e fuqive të mëdha që prej vitesh negocojnë mbi çështjen bërthamore iraniane, SHBA, Rusia, Kina, Franca, Britania dhe Gjermania.

Afganistan
Rinumërim i 2500 kutive zgjedhore
Kryetari i Komisionit për Ankesat Elektorale në Afganistan, Grant Kipen ka deklaruar se fletët e votimit të 10 për qind të qendrave zgjedhore do të rinumërohen. Shkak për këtë janë bërë dyshimet e ngritura për manipulime në zgjedhjet presidenciale ato dhe provinciale të mbajtura muajt e kaluar. “Fletët e rreth 2500 kutive, nga një total prej 25.450 do të rinumërohen për shkak të provave të pastra dhe bindëse për manipulime”,- ka deklaruar Kipen.

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›