Protokolli i EULEX-it, i pazbatueshëm për serbët e Kosovës
Serbët e Kosovës nuk do ta pranojnë protokollin për bashkëpunimin policor në mes të EULEX-it dhe Serbisë dhe asnjë protokoll tjetër, nëse ai është jashtë kornizës së Rezolutës 12 44.
Kështu thonë liderët serbë, Milan Ivanoviç dhe Dragan Veliç, nga Këshilli Kombëtar Serb në Kosovë. Sipas tyre, ajo që nuk pranohet nga populli, është e pazbatueshme. Çfarëdo formë e zbatimit të protokollit për bashkëpunim policor, i cili është nënshkruar nga EULEX-i dhe Serbia, e që nuk do të jetë në harmoni me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, do të jetë e papranueshme për serbët e Kosovës. Kështu vlerësojnë liderët e serbëve të Kosovës, të cilët thonë se në marrëveshjen për këtë protokoll, serbët e Kosovës nuk kanë qenë të inkuadruar dhe mospranimi i protokollit nga ana e tyre, nënkupton që ai nuk do të mund të zbatohet. Milan Ivanoviç, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, thotë se protokolli nënkupton forcimin e kontrollit në pikat dhe vijën kufitare në bashkëpunim të plotë me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës. Sipas tij, serbët e Kosovës kanë parasysh që EULEX-i zbaton planin e Ahtisarit për Kosovën e pavarur dhe, në anën tjetër, pjesëmarrja e Policisë së Kosovës do të nënkuptonte vendosjen e një sistemi unik të policisë. “Mendoj se është fakt që serbët jetojnë në Kosovë dhe për të gjitha çështjet e pazgjidhura, ata duhet të njoftohen dhe të japin miratimin e tyre për zgjidhje. Unë mendoj se ajo që nuk pranohet nga populli, as nuk mund të zbatohet”,- thotë Ivanoviç.
16 Shtator 2009