E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Muka tregon surprizat e Bienales së Tiranës



Petrika GROSI
Në një intervistë ekskluzive të dhënë dje për gazetën “Albania”, kuratori Edi Muka ka pranuar të tregojë më tepër detaje mbi mënyrën se si është konceptuar dhe si do të organizohet Bienalja Ndërkombëtare e Tiranës që fillon këto ditë te hotel “Dajti”. Artistë vendës e të huaj, do të sjellin punët e tyre duke u bazuar mbi diskursin e perceptimit të realitetit brenda një kornize. Por, cilat janë risitë, synimet dhe sfida për grupin që e organizon këtë eveniment dhe çfarë presim që të ndodhë? Për më tepër, na ndiqni në bisedën që vijon më tej.

Si po shkojnë përgatitjet për Bienalen e Tiranës, ndërkohë që po afron data e çeljes së saj?
Volumi i punës është shumë i madh për arsye se punohet paralelisht për të trija episodet, pavarësisht se ato janë me diferencë një javë njëri nga tjetri. Në këtë moment që flasim, ende nuk kanë ardhur të gjitha punët dhe pritet ende mbërritja e tyre në Tiranë deri të enjten.

Çfarë i karakterizon punët që janë përzgjedhur dhe artistët pjesëmarrës?
Duke u nisur nga koncepti i bienales, ndërtuar mbi titullin “Eficienca simbolike e kornizës”, që ka të bëjë me mënyrën si ne e perceptojmë realitetin tonë politik, emocional, psikologjik etj., janë zgjedhur një grup artistësh me punë të tyre të reja, ose që i kanë bërë më parë, por që përputhen me konceptin. Një pjesë e këtyre artistëve janë ftuar t’i krijojnë punët e tyre këtu. Gjatë gjithë verës kanë ardhur artistë të ndryshëm në periudha jo të vogla kohe. Ata kanë vizituar jo vetëm Tiranën por edhe Veriun dhe Jugun e Shqipërisë.

Si ndodhi që mbërritët te hotel “Dajti”?
Besoj se për të gjithë shqiptarët hotel “Dajti” është një ndërtesë me një histori të veçantë dhe nuk ka rëndësi gjenerata së cilës i përkasin njerëzit pasi të gjithë e njohin të paktën si emër. Duke qenë se kalojmë shpesh këtu dhe shikojmë këtë godinë të braktisur në qendër të Tiranës, por me një histori shumë të gjatë dhe të ngarkuar, “Dajti” nuk mund të mos na tërhiqte vëmendjen. Ky ishte ngacmimi i parë, le të themi. Nga ana tjetër, pjesë e kërkimeve tona kuratoriale ka qenë një interes i kohëve të fundit për të ndjekur një diskurs filozofik që ka të bëjë pikërisht me mënyrën se si ndërtohet marrëdhënia me realitetin. Titulli i bienales nuk është krijuar nga ne por është marrë nga filozofi slloven, Sllavo Zhizhek, i cili ndjek një linjë të vjetër filozofike që nga grekët e lashtë, sipas së cilës njeriu e ka të pamundur të krijojë një marrëdhënie me thelbin e realitetit. Nga mënyra se si njeriu e ndërton marrëdhënien me realitetin, ai është duke kornizuar aspekte të veçanta të tij. Këto korniza nuk janë korniza fizike por mendore; emocionale, sociale, politike, ideologjike, psiqike etj. Nëse marrim këtë diskurs filozofik dhe e zhvendosim në operacionin e artistit, për mendimin tonë, kjo është ajo ç’ka artistët bëjnë. Siç thotë Zhizhek, ajo që futet brenda kornizës nuk është më thjesht pjesë e realitetit përreth nesh por fiton një autonomi, një jetë të vetën. Po ta sjellim të gjithë këtë diskutim te hotel “Dajti”, kjo godinë kthehet në kornizën perfekte për qëllimin tonë. Është interesant si objekt që nga arkitektura e tij tipike fashiste, e cila paralajmëronte ardhjen e një regjimi të ri, e deri te ata që erdhën më pas, të cilët e mbajtën hotel “Dajtin” si të tillë dhe sillnin aty vetëm delegacionet e huaja, ndërkohë që shqiptarët nuk lejoheshin të futeshin brenda. Mbi këto ide ne kemi ndërtuar të gjithë bienalen dhe kemi ftuar kuratorët dhe artistët e tjerë për bashkëpunim.

Sa të pranishëm janë artistët shqiptarë në këtë bienale?
Janë Ardian Isufi, Ardian Paci, Silva Agostini, Anila Rubiku, Gazmend Jaupi, Leonard Qylafi etj. Punët janë instalacion, video, skulpturë, pikturë murale, madje një nga artistët më të njohur gjermanë sot në botë, Franc Hakerman po realizon një murale për Bienalen e Tiranës.

Sa e perceptueshme është për publikun shqiptar kjo bienale e artit modern?
Këtë do ta shikojmë, por mund të themi se nga edicioni në edicion bienalja ka krijuar një marrëdhënie me publikun kryeqytetas, duke na mësuar edhe ne, mbi atë se çfarë duhet të bëjmë më mirë; nga edicioni i tretë, çdo video që paraqitet këtu është e subtitruar edhe në shqip, në mënyrë që njerëzit ta marrin vesh se për çfarë bëhet fjalë. Megjithatë, krijimi i marrëdhënies sonë me publikun përbën një sfidë dhe për këtë arsye e kemi ndarë bienalen në tre episode. Ekspozita jepet në proporcione më të vogla që të përthithet më mirë nga publiku.

Çfarë do të ndodhë me punët e bienales?
Punët do të kthehen mbrapsht te artistët, nuk e di se çfarë do të ndodhë me muralen e Hakermanit. Kjo është një gjë që duhet parë dhe duhet diskutuar në të ardhmen.

A ju ka ndihmuar Ministria e Kulturës?
Jo. Shkaku ka qenë ai ministër që u hoq dhe kontradiktat që patëm. Mbas kësaj periudhe afatet për aplikim të projekteve vjetore kishin kaluar.

Si e zgjidhët punën e financimit?
Bienalja mbështet kryesisht me donancione nga një numër kompanish private në vend, shqiptare e të huaja, si dhe një grup fondacionesh ndërkombëtare që mbështesin ngjarje ndërkombëtare të artit. Gjithashtu, ambasadat na kanë ndihmuar me mbulimin e artistëve të tyre.

Së fundi, çfarë synoni të arrini me këtë aktivitet ndërkombëtar që organizohet për të disatën herë në Tiranë?
Duam të sjellim në kryeqytet atë që është më e mira për momentin në artin bashkëkohor. Një ndër episodet e bienales e shtrin fushën e interesit duke mos mbetur vetëm bienale e arteve pamore, por edhe e arkitekturës dhe e zhvillimit urban. Në këtë episod do të ketë artistë që merren me këto çështje. Linja kryesore janë tensionet që lindin nga përplasja mes hapësirave publike dhe atyre private, një fenomen shumë i pranishëm në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit gjatë dhjetë viteve të fundit. Pra, që nga ky edicion, Bienalja e Tiranës do të zgjerojë fushën e interesit, duke u përpjekur që të ngjallë kështu edhe një diskutim social. Shpresojmë që bienalja të mund ta ngjallë këtë lloj diskutimi. Në fakt, kemi planifikuar për këtë diskutim një javë, gjatë së cilës do të jenë të ftuar personalitete shqiptare e të huaja nga bota.

Pra, shkoni me konceptin e të bërit art në funksion të shoqërisë?
Për mendimin tim, arti nuk ka dhe nuk duhet të ketë vetëm funksion zbukurues. Ai duhet të ngrejë pikëpyetje mbi probleme dhe çështje të rëndësishme që janë pjesë e shoqërisë sonë globale të përditshme. Them globale, pasi duam apo nuk duam ne, ç’ka ndodh në botë reflektohet këtu dhe anasjelltas.

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›