Pavarësia e Kosovës, skadon afati për argumentat në Hagë
Blerina Olldashi
Skadon afati për të gjitha vendet që duan të marrin pjesë në diskutimin publik mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që do të zhvillohet në muajin dhjetor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Debati publik nis më 1 dhjetor dhe do të jetë i hapur për të gjithë vendet anëtare në Kombet e Bashkuara, pavarësisht nëse ato kanë paraqitur paraprakisht dëshmi me shkrim. Një vit më parë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, miratoi kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shqyrtojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Shpallja e pavarësisë sipas udhëheqësve politikë kosovarë, bazohet mbi vullnetin e shumicës shqiptare për vetvendosje. Sipas Serbisë, ajo është në kundërshtim me të drejtën dhe ligjet ndërkombëtare. Kosova dhe Serbia tashmë kanë deponuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, argumentat e tyre rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Argumentat e tyre pro dhe kundër pavarësisë i kanë paraqitur edhe 33 vende të tjera të botës anëtare të OKB-së. Afati për deponimin e argumenteve përfundoi këtë të martë dhe vendi i fundit që paraqiti argumentet e tij, është Federata Ruse, njofton agjencia e lajmeve e këtij vendi Itar-tass. Më një dhjetor Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të hapë diskutimin publik për të dëgjuar mendimet e të gjitha palëve të interesuara rreth asaj se a ishte apo jo shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Zëvëndësministrja e punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se pala kosovare është e bindur në një vendim në favor të Kosovës. “Tashmë kemi arritur në fazën finale, para marrjes së vendimit, pra është faza e dëgjimeve të argumenteve të shteteve. Edhe Kosova do të jetë aty edhe pse nuk është anëtare e OKB-së dhe ne jemi të bindur se vendimi i Gjykatës do të jetë në favor të Kosovës,- thotë Çitaku. Njohës të së drejtës ndërkombëtare, thonë se padyshim që Kosova është në një pozicion të favorshëm në rastin e shqyrtimit të ligjshmërisë së pavarësisë. Afrim Hoti, profesor në Universitetin e Prishtinës thotë se me argumentet e saj pala kosovare duhet të fokusohet në dy aspekte. “E para aspekti teorik në kuptimin e pozicionit, juridik, politik dhe kushtetues në ish federatën Jugosllave, kur Kosova kishte Kushtetutën e vitit 1974 e cila e poziciononte Kosovën në një pikë mjaft të lartë Kushtetuese. Ndërsa, aspekti praktik, është fakti se në territorin e Kosovës u zhvillua një luftë, u bë një spastrim etnik dhe ndodhi një debim masiv i popullatës nga shtëpitë e tyre”,- thotë Hoti.
16 Shtator 2009