Athina mes dhunës, pas sulmit me acid kundër një emigranteje
Policia në Greqi u përlesh me grupe të rinjsh, të cilët i kanë goditur me bomba benzine dhe gurë të enjten në mbrëmje, pas një muaji që heshtën protestat më të dhunshme me të cilat ishte hasur vendi gjatë dekadave të fundit. Policët në qendër të Athinës hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët u solidarizuan për sulmin e një punëtoreje emigrante bullgare me acid muajin e kaluar. Kostadinka Kuneva, 44 vjeç, një bullgare që punonte si sanitare dhe një aktiviste e unioneve gjendet ende në spital në kushte të rënda pas një sulmi që iu bë më 22 dhjetor, kur dy burra të paidentifikuar e nxorën atë jashtë shtëpisë së saj dhe i hodhën acid në fytyrë. marshi para ministrisë së punës kishte nisur në mënyrë të paqme. Në të ishin të përfshirë rreth 3 000 demonstrues që mbanin pankarta “Kostandinka, ti nuk je vetëm” dhe “Mjaft dhunës kundër emigrantëve”. Por më pas shpërtheu dhuna, kur një grup me rreth 30 vetë të deklaruara anarkistë, si dhe aktivistë të krahut të majtë, zbrazën koshat e plehrave dhe thyen pllakat e trotuareve duke i përdorur si ‘armë’ kundër policisë. Ngjarja ndodhi rreth një muaj pasi protestat e dhunshme të shpërthyera në Greqi më 6 dhjetor, pas vrasjes së një adoleshenti nga policia heshtën para festave të fundvitit. Gjatë janarit, në Athinë ka pasur protesta për çështje sociale por ato kanë qenë paqësore dhe pa probleme dhune, si ato të së enjtes mbrëma. Ndërkohë mijëra fermerë kanë bllokuar rrugët kufitare dhe rrugët kryesore dje në ditën e tyre të pestë të protestës, ku kërkonin kompensim për uljen e çmimit të produkteve të Agrikulturës. Fermerët përdorën traktorët për të mbyllur pikat kufitare me Bullgarinë, Maqedoninë dhe Turqinë, një ditë pasi u refuzua një paketë 500-milionë-euro nga qeveria.
Samit për protestat
Liderët evropianë kanë kërkuar të organizojnë një takim emergjent për të zgjidhur krizën e protestave sociale dhe protestave të dhunshme të rrugës, që janë përhapur nëpër të gjithë Evropën mes një kohe krize ekonomike. Bullgaria, Letonia, Lituania, Hungaria, Greqia dhe Islanda janë përballuar me protesta sociale dhe përleshje ndërsa papunësia është rritur meqë shumë vende evropiane janë detyruar të shkurtojnë ndjeshëm shpenzimet qeveritare. Sipas “Daily Telegraph”, një samit i liderëve evropianë do të mblidhet në mars për të trajtuar këto probleme.