Përplasje institucionesh në aksionin e Ndërtimorëve
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Përplasen institucionet në Shkodër gjatë aksionit për prishjen e një godine që pengon investimin për rrugën e re pranë stadiumit të qytetit. Pas paralajmërimit se objekti do të rrëzohet, për t’i lënë vendin zbatimit të projektit në rrugën “Isuf Sokoli”, ndërtimorët kanë nisur veprimin. Sapo forcat e policisë së bashkisë, rendit dhe ndërtimorët janë afruar në zonë, janë përplasur me dy familjet që jetojnë aty. Ato nuk pranonin të lëshonin ambientet e tyre, pa marrë në dorë vendimin e qeverisë për kompensimin e shtëpive kundrejt vlerës reale. “Nuk na mjaftojnë 1.1 milion lekë që ka akorduar Ministria e Transportit, se me to nuk blihet dot shtëpi e re”, kanë reaguar banorët. Ata kanë kërkuar pezullimin e vendimit të prishjes, duke pohuar se po dje Gjykata e Faktit ka firmosur për të. Rreth orës 09:30, sapo forcat në aksion u afruan në zonën ku ndodhet ndërtesa dykatëshe, familjarët kanë dalë në rrugë duke kundërshtuar ashpër. Tensioni deri në momentin e finalizimit të aksionit ishte i madh, madje pronari i njërës prej banesave së bashku me disa familjarë të tij janë shoqëruar për në ambientet e policisë, ndërkohë që të tjerë kanë tentuar të mos dalin nga shtëpia. Ndërhyrja e policisë së rendit ka bërë që të shmanget kjo tentativë. Familjarët pohuan dje se nuk është normale që të ndërhyhet pa asnjë bazë ligjore e të shembin një shtëpi me të gjithë dokumentacionin e rregullt, të ndërtuar rreth 70 vite më parë. Ata thonë se nuk janë kundër ndërtimit të rrugës, si dhe prishjes së shtëpisë, por duan kompensimin real, sipas tregut të sotëm. Njëkohësisht ata thonë se veprimi i Policisë Ndërtimore është i jashtëligjshëm, pasi kjo çështje është në gjykim e sipër nga gjykata. Sipas tyre, gjykata vendosi vetëm 30 minuta para ekzekutimit të vendimit për prishjen e saj që të pezullohet puna deri në daljen e vendimit të qeverisë për shpronësimin e tyre. Ndërsa burime pranë Drejtorisë Juridike të kësaj bashkie bëjnë të ditur se jo vetëm që është një rast i rrallë gjykimi i një çështjeje në orën 08:00 të mëngjesit nga kjo gjykatë, por vendimi i saj merr formë të prerë pas 5 ditësh dhe jo pas 30 minutash.
“Investimet e filluara nuk mund të presin pafundësisht sa të merren vendime nga gjykatat e të gjitha shkallëve. Megjithatë, pas shumë debateve që kanë zgjatur afro 2 orë, fadroma e ndërtimores ia ka arritur qëllimit të saj duke prishur shtëpinë e cila ndodhej në trupin e rrugës dhe pengonte në përfundimin e investimit të ndërtimit të rrugës “Isuf Sokoli”.