E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gomonia vinte nga Italia kur e përfshiu stuhia”

 

Gomonia e tragjedisë në det po kthehej nga Italia kur u përfshi nga furtuna. Pohimi vjen nga ekspertët e antitrafikut dhe ata të flotës detare shqiptare, pas hetimit të kryer mbi ngjarjen që tronditi opinionin këtë javë. Një person arriti të shpëtojë gjallë nga udhëtimi misterioz në Adriatik, një humbi jetën, ndërsa për të tretin nuk ka asnjë shenjë dhe pse dje u gjet dhe mjeti i vdekjes.
Burime nga grupi që po merret me zbardhjen e ngjarjes së rëndë pohojnë se në këtë pistë kanë arritur pasi verifikuan mënyrën e lëvizjes së gomones në det; telefonatat e bëra me pjesëtarët e ekuipazhit të saj, vendndodhjen përfundimtare të mjetit lundrues, të të mbijetuarit dhe viktimës. Nisur nga këto të dhëna, sipas ekspertëve ka dyshime të forta se gomonia nuk është nisur nga Vlora në momentin kur është përfshirë nga fortunali në det, por nga brigjet e shtetit fqinj, Itali. Sipas tyre, nëse mjeti lundrues ku ndodhej Romeo Purizi dhe dy vëllezërit Golaj do të përfshihej nga stuhia pas nisjes nga Vlora, atëherë ata do të kishin përfunduar në ujërat ose brigjet shqiptare. Por, në ujërat e shtetit malazez e më pas atë kroat ata mund të jenë shtyrë vetëm nëse kanë qenë në ujërat territoriale italiane. Veç këtij fakti, një tjetër konfirmon dyshimet e tyre: atë të moskomunikimit telefonik në rrjetin shqiptar. Nga kontrollimi i thirrjeve të kryera prej tyre që nga e marta e deri në zbulimin e dy prej personave të enjten, rezulton se ata kanë humbur kontaktet në momentin kur ndodheshin në ujërat neutrale, ku nuk ka rrjet telefonik. Sapo kanë mbërritur në ujërat territoriale të Malit të Zi është vendosur kontakti telefonik me familjarët e Romeo Purizit, fakt i konfirmuar dhe gjatë kërkimeve nga pala malazeze. Shuarja e motorit dhe humbja e kontrollit të gomones mendohet të ketë ndodhur në ujërat territoriale mes Malit të Zi dhe Kroacisë dhe e shtyrë nga stuhia përfundoi në ishujt kroatë. Në dëshminë e tij, i mbijetuari Romeo Purizi ka pohuar se mbante mend vetëm përplasjen e fundit me një shkëmb e më pas me not ka arritur të dalë. Tentativat për të krijuar një lidhje telefonike me Purizin dje dështuan, ndërsa dhe vetë familjarët e tij pohuan se nuk kishin mundur t’i dëgjonin zërin. Ai pritet që të merret në pyetje me detaje për momentet e udhëtimit tragjik dhe dyshimet që ata po ktheheshin nga Italia.
Mister mbetet fati i një prej vëllezërve Golaj, ndërsa pohohet se trupi i gjetur i pajetë i përket njërit prej tyre. Kërkimet e palës kroate kanë vazhduar dhe ditën e djeshme, duke përfunduar me gjetjen e gomones, jo shumë larg brigjeve të ishullit Mljet. Mësohet se kërkimet do të vazhdojnë dhe gjatë orëve të natës, me shpresë se do të bien në gjurmët e një prej vëllezërve Golaj dhe pse nuk dihet nëse mund të ketë mbijetuar apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›