Devolli del nga shtrati, qindra hektarë nën ujë
KORÇE- Reshjet që kanë rënë gjatë 48 orëve të fundit në qarkun e Korçës kanë përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore. Kjo ka dëmtuar mjaft të mbjella dhe nëse kullimi nuk do të jetë i shpejtë do të sjellë pasoja në ekonominë e fermerëve. Autoritetet zyrtare në Prefekturën e Korçës dhe drejtues të ndërmarrjes së ujitjes dhe kullimit pohuan dje se sipërfaqja e përmbytur arrin në 200 hektarë. Por fermerët deklarojnë se sipërfaqja nën ujë është shumë më e madhe. Shqetësime të mëdha ka krijuar përmbytja në rrethin e Devollit, pasi është çarë argjinatura e përroit të Oshticës. Dy degët e Devollit kanë dalë nga shtrati, duke përmbytur 50 hektarë të fushës së Devollit. Alarmi më i madh ishte krijuar tek fermerët e Bilishtit dhe Hoçishtit, ku ujërat e Devollit kanë dëmtuar rëndë plantacionet e mbjella me pemë frutore. Prefektura ka ngritur për këtë situatë shtabin e emergjencës. Nënprefekti i Devollit, Sabri Turabi pohoi se një situatë e tillë, kur lumi i Devollit kalon argjinaturën, ka ndodhur vetëm gjashtëdhjetë vjet më parë. j.gj