Masakër në çerdhen belge, dy foshnja theren për vdekje
Dy foshnje dhe një kujdestare e tyre kanë humbur jetën, pasi janë therur nga një njeri misterioz, i futur për të kërkuar informacion në çerdhen e fëmijëve, në Belgjikë. Burri e kishte lyer fytyrën me të bardhë dhe vetëm sytë me të zezë dhe ka qëlluar me thikë në mënyrë fatale pothuajse të gjithë foshnjat, që ndodheshin në çerdhe, sipas autoriteteve në atë kohë në çerdhe ndodheshin 18 foshnja nën moshën trevjeçare dhe 6 punonjëse. Edhe pse kujdestaret e foshnjave kanë ndërhyrë për të dalë para fëmijëve për të parandaluar sulmin, nuk kanë mundur të frenojnë personin, i cili hë për hë konsiderohet si një i sëmurë psikik, edhe pse ky është një informacion i pakonfirmuar nga autoritetet që kanë ende në hetim për zbardhjen e ngjarjes. Fëmijët dhe kujdestaret e tyre kanë marrë plagë nga goditjet me thikë në kofshë dhe shpatulla para se njeriu misterioz të largohej me biçikletë. Tre nga njëmbëdhjetë fëmijët e shtruar në spital janë në gjendje të rëndë. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe pas masakrës burri u largua i qetë me biçikletë rreth orës 11:30. Vetëm pak pasi ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes policia ka mundur ta arrestojë. Sipas mediave mund të bëhet fjalë për njërin prej baballarëve të fëmijëve të vdekur. Burri ishte rreth të tridhjetave. “Shumë prindër janë të shokuar”, tha ministri i Brendshëm belg, Guido De Padt. Ndërkohë spitalet kanë publikuar foto të fëmijëve të shtruar për të mundësuar që prindërit e tyre t’i gjejnë. Ndërkohë në SHBA, një studente 22-vjeçare nga Kina është vrarë, duke u goditur me një thikë kuzhine në fjetoren e universitetit “Virginia Tech”. Policia ka arrestuar menjëherë një tjetër student nga Kina, i cili ishte një nga kontaktet më të afërta me viktimën, konfirmuar edhe në numrat e emergjencës në celularin e saj. Pas hetimeve autoritetet kanë zbuluar se autori i vrasjes e ka sulmuar menjëherë me thikë viktimën sapo ka hyrë në dhomën e saj në mbrëmje. Duket se ky universitet ndiqet nga fati i keq. Eshtë i njëjti konvikt ku dy vite më parë një i çekuilibruar u mori jetën 32 personave, duke hyrë në shkollë e qëlluar me armë zjarri. Një histori e ngjashme është shënuar edhe në një shkollë norvegjeze, por kësaj radhe viktima është qëlluar me armë zjarri. Incidenti ka ndodhur në një shkollë fillore mëngjesin e djeshëm. Viktima ka humbur jetën si pasojë e të shtënave në parkingun e shkollës në qytetin Tromsoe në veri të Norvegjisë. Një tjetër person ka mbetur i plagosur. Policia norvegjeze ka njoftuar se situata tashmë është nën kontroll, por ende nuk ka bërë të qarta rrethanat e ngjarjes dhe motivet e saj, pa mundur të arrestojë asnjë të dyshuar.