Peshkopi, gjendet i ngrirë i zhdukuri
PESHKOPI - Gjendet pas tri javësh, nën borë, trupi i pajetë i Hysen Lekës, banor i fshatit Reç në rrethin e Dibrës. Burime pranë komisariatit të policisë Peshkopi bënë të ditur se trupi i pajetë i Lekës është gjetur afro 2 km larg fshatit, në një përrua. Mësohet se viktima nuk kishte shenja dhune dhe dëmtime serioze në trup. Banorë të fshatit njoftuan dje në mëngjes fillimisht familjen Leka dhe më pastaj policinë lokale. Ekspertë të policisë kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vërteta të vdekjes së Hysen Lekës. Nga hetimet paraprake mendohet se Leka gjeti vdekjen për shkak të temperaturave shumë të ulëta dhe më pas mbulimi nga bora. Me datë 3 janar të këtij viti ai kishte dalë nga shtëpia dhe ishte drejtuar tek dentisti më i afërt në fshatin fqinj, mirëpo ai nuk u kthye në shtëpi dhe kjo bëri që familjarët të njoftojnë fillimisht të afërmit dhe më pastaj dhe policinë. Efektiva të shumta të policisë së Dibrës u vunë në kërkim të 34- vjeçarit në zonën ku dyshohej se ai kishte humbur çdo kontakt me familjarët, mirëpo as të afërmit dhe as policia nuk bënë dot të mundur gjetjen e tij. Madje kërkimet u shtrinë dhe matanë kufirit, në Maqedoni. Dje familja Leka në Reç të Dibrës ka hapur ceremoninë mortore. Prej tri javësh prindërit dhe të afërmit e viktimës së motit jetonin me ankth për humbjen e njeriut të tyre të dashur. h.p