E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina notë proteste në Bruksel për Shqipërinë

21/12/2011  Qeveria greke e shqetësuar për procesin e censusit në vendin tonë

Qeveria greke ka shprehur hapur shqetësimin e saj për procesin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, duke akuzuar autoritetet shqiptare për manipulim të shifrave sa i përket pakicës etnike greke. Ministri i Jashtëm grek Stavros Dimas ka deklaruar në parlament se Athina zyrtare ia ka përcjellë këtë shqetësim si Komisionit Evropian, ashtu dhe qeverisë shqiptare. Duke theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve është një kriter bazë për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane, kryediplmati grek i është përgjigjur interesimit të deputetëve të LAOS-it (partia “Sirena Popullore Ortodokse”) mbi procesin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri. “Ministria e Jashtme greke ka ndjekur me vëmendje të veçantë të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me procesin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri dhe ka kërkuar nga instancat europiane dhe ato shqiptare që të respektohet dhe garantohet pacenueshmëria e procesit si dhe regjistrimi pa pengesa i pakicës etnike greke kudo ku ajo ndodhet”, - theksoi gjatë fjalës së tij në parlament ministri i Jashtëm grek. Sipas tij, vendimi i minoritetit etnik grek për të bojkotuar procesin e regjistrimit është një tregues i qartë i pabesueshmërisë së këtij komuniteti ndaj qeverisë shqiptare, e cila “duhet ta trajtojë me prioritet këtë shqetësim”. Duke iu referuar tekstit që u është përcjellë autoriteteve të Brukselit, ministri i Jashtëm grek, Stavros Dimas, u shpreh se “ky fakt, por dhe akuzat për manipulim të të dhënave gjatë procesit të regjistrimit, ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi rezultatet që do të ketë censusi në Shqipëri, sidomos sa u përket minoriteteve”. Mësohet se Athina zyrtare dhe deputetë të parlamentit grek kanë denoncuar në Komisionin Evropian praktikat e ndjekura nga autoritetet shqiptare gjatë regjistrimit të popullsisë, duke përmendur si shkelje të të drejtave të njeriut vendimin për të gjobitur deklaruesit e rremë. Dimas tha në parlament se qeveria greke do të vazhdojë të inkurajojë marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›