E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina përgënjeshtron kthimin te dhrahmia


Ekonomia greke pagoi më shtrenjtë se çdo vend tjetër spekulimet për Hungarinë. Megjithëse spekulimet financiare kësaj radhe nuk lidheshin me të, haraçin më të madh të tyre e pagoi Greqia. Përkundër humbjeve të vogla të bursave evropiane në mesin e një klime pasigurie për ecurinë e euros, Bursa e Athinës shënoi rënie të madhe prej 5.45 %, duke u kthyer në nivelin e 12 viteve më parë. Me bursën në rënie të lirë dhe ekonominë në recesion të thellë u ricikluan skenarët e falimentimit të vendit dhe kthimit të tij te drahmia. "Përgënjeshtrojmë në mënyrë kategorike gjithë këto skenare fantaziste cilido qoftë burimi i tyre", deklaroi zëdhenësi i qeverisë Jorgos Petallotis për të shtuar se "nuk bëhet fjalë për falimentim dhe kthim të drahmia". Zëdhenësi grek foli për "ulje të defiçitit dhe shtim të ardhurash" dhe vlerësoi zbatimin e programit si "alternativën e sigurt për daljen nga kriza". Javën e kaluar kreu i Komisionit Monetar Ndërkombëtar të FMN-së Zoussef Boutros-Ghali kishte shprehur dyshimin në aftësinë e Greqisë për zbatimin e reformave në shkëmbim të ndihmës së ofruar prej 110 miliardë euro. por përsa i përket monedhës së përbashkët të zonës euro, e cila do të rrezikonte mjaft nga kriza në Greqi, Shefi i Bankës Qendrore amerikane ka lëvduar masat për shpëtimin e euros. Sipas pikëpamjes së shefit të Bankës Qendrore të SHBA-së Ben Bernanke, shtetet e BE-së janë të vendosura për shpëtimin e euros. paketa prej 750 miliardë eurosh është "një shumë e konsiderueshme parash" dhe mjafton për disa vite për ruajtjen e Greqisë, Portugalisë dhe Spanjës nga tregjet e paqëndrueshme financiare, tha Bernanke në Uashington.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›