E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athine celula anarkiste merr persiper sulmin

Me një letër prej pesë faqesh të publikuar në një prej ëeb site-ve të njohura të anarkistëve, Indymedia Athens, organizata “Komploti i Celulave të Zjarrit” ka marrë përsipër pasditen e së mërkurës përgjegjësinë për shpërthimin e bombës së vendosur në gjykatën e Athinës dy ditë para Vitit të Ri.

Përmes letrës, organizata që përdor përsëri simbolin e saj, thekson se sulmi në gjykatë ishte në shenjë solidariteti për tre anëtarët e saj të burgosur, gjyqi i të cilëve do të zhvillohet në datën 17 janar.

Autorët hedhin kërcënime ndaj gjykatësve të cilët i cilësojnë si “inkuizitorë modernë”. “Për cdo vit burg që do t’u jepni vëllezërve tanë, ne do të vendosim nga një kilogram lëndë eksplozive në shtëpitë tuaja, në makinat tuaja, në zyrat tuaja, ndërsa nuk përjashtojmë dhe takimet tona kokë më kokë”, shkruajnë ata në mënyrë karakteristike midis të tjerash.

Më pas bëhet e njohur mënyra e sulmit me bombë në gjykatë, ku mekanizmi shpërthyes ishte vendosur në një motocikletë përballë hyrjes.

E njëjta organizatë ka marrë edhe disa javë më parë përgjegjësinë për 14 pakot-bombë që ka cuar me postë në shumë ambasada në Athinë, si dhe në zyrat e udhëheqësve europianë Angela Merkel, Nicolas Sarkozy, Silvio Berlusconi, në Gjykatën Europiane dhe në zyrat qendrore të EUROPOL-it.

Greqia për dekada të tëra ka një histori të mbushur me akte terroriste të grupeve ekstremiste të majta. Disa prej tyre, si “Sekti Revolucionar” apo “Komploti i Celulave të Zjarrit”, u bënë aktive pas vrajses së adoleshentit 15-vjecar Aleksandros Grigoropoulos në dhjetorin e vitit 2008.

Objekt i tyre janë zakonisht godinat qeveritare, rajonet policore, bankat dhe gjykatat, ndërsa sulmet zakonisht kryhen në orët e mbrëmjes ose mëngjesit dhe paralajmërohen me telefonata anonime.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›