Athinë, guerrilasit përgjegjës për incidentin me armë
Në Athinë një organizatë guerrile ka marrë përgjegjësinë për goditjen me automatik të një autobusi që transportonte pjesëtarë të forcave speciale të policisë.
Sulmi ndodhi dje herët në mëngjes dhe nuk pati të lënduar. Organizata, me emrin Aksioni Popullor, ka marrë përgjegjësinë edhe herë të tjera për sulme me bomba në objekte të ndryshme në kryeqytet.
Ndalen protestat
Protestuesit kanë vendosur të shfrytëzojnë pushimet dimërore dhe zhvilluan manifestimin e tyre të fundit për këtë vit, duke paralajmëruar se do të rifillojnë më 9 janar.
Incidentet nga personat me maska nuk munguan edhe kësaj here. Ata përmbysen një makinë të policisë, por nuk arritën t’i vinin zjarrin.
Para syve të qytetarëve dhe të policëve, ata shqyenin pllakat e troturave në rrugën Stadiu dhe u shpërndanin protestuesve për t’i përdorur sipas rastit.
Megjithë pushimin e përkohshëm të protestuesve, autoritetet ndërkaq nuk do të mund të shijojnë edhe ata atmosferën festive të këtyre ditëve.
Një kokëçarje e re lindi në mëngjes, bashkë me gdhirjen e ditës. Një autobus i policisë që po çonte për në pikën e shërbimit pjesëtarë të forcave speciale, u godit me armë zjarri në një nga rrugët qendrore të Athinës dhe pranë zonës ku ndodhet edhe ministria e rendit.
Një nga gomat e autobusit u ça, ndërsa një plumb ishte ngulur në motorr.
Më vonë gjatë ditës dhe pas ekspertizës së vendngjarjes, u gjetën gjithësej 7 gëzhoja, ndërsa arma vlerësohet se është Kallashnikov, 7,62 mm. Asnjë nga policët nuk e lëndua dhe ata shkuan në detyrën e tyre, tha ministri i brendshëm.
Pas një kohe të gjatë, ky ishte sulmi i parë i tillë kundër një autobusi të policisë.
Në vitin 2001, organizata 17 Nëntori kishte kryer një sulm me granata, dhe një polic kishte humbur jetën.
Po prej vitit 2002, kjo organizatë konsiderohet e asgjësuar dhe pjesëtarë të saj po vuajnë dënime shumë të rënda.
Pasdite vonë, me një telefonatë, përgjegjësinë për sulmin e mori organizata me emrin Aksioni Popullor, që ka kryer edhe një sërë sulmesh të tjera me bomba në Athinë, kryesisht kundër objekteve qeveritare dhe shtetërore.
Ekspertë të anti-terrorizmit citohen nga mediat të jenë shprehur me skepticizëm për autorët e supozuar të sulmit dhe thonë se janë duke vazhduar hetimet.
Megjithë suksesin në asgjësimin e 17 nëntorit që konsiderohej si organizata guerrile më e vjetër në Europë, autoritetet janë ndeshur herëpashere me ekzistencën e grupimeve më të vogla guerrile, të cilat gjatë viteve të fundit i kanë shkaktuar jo pak kokëçarje policisë.
Por çuditërisht këto grupe nuk u shfaqën gjatë ditëve të trazirave të mëdha më herët këtë muaj. (bbc)