Dosjet, krisen marrëdhëniet me SHBA
Kryeministri sfidon sërish ndërkombëtarët: “Ligji, një fitore historike”
Berisha: Miratimi i dosjeve, Kuvendi bëri histori
TIRANË- As shqetësimet e djeshme të faktorit ndërkombëtar për ligjin “Për Pastërtinë e Figurës”, nuk e ndryshuan qëndrimin publik të shprehur nga Kryeministri Sali Berisha se, miratimi i këtij ligji ishte “një fitore historike e shqiptarëve”. Ka zgjedhur inspektimet e punimeve në tunelin Thirrë-Kalimash, për të sfiduar faktorin ndërkombëtar, teksa është shprehur se vota e djeshme në Parlament ishte fitore historike. “Vota dje në Parlament është një fitore historike e shqiptarëve mbi krimin politik. Ajo është një fitore historike dhe shqiptarët do të mund të shohin tani drejt korridorit të tyre, drejt vlerave të demokracisë, do të mund të shohin drejt integrimit. Unë mendoj se Parlamenti shqiptar dje ka bërë histori”,- theksoi Kryeministri. Kreu i ekzekutivit ka shpërfillur në këtë mënyrë edhe qëndrimin e djeshëm të SHBA-së, por edhe OSBE-së, ku përmes deklaratave të veçanta, theksohej domosdoshmëria e ndërmarrjes së hapave të menjëhershëm nga ana e qeverisë, në konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar që ky ligj të përmbushë standardet ndërkombëtare. Por, për Kryeministrin Sali Berisha votimi i ligjit ishte historik dhe se gjithçka tanimë kalon në duart e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili dy ditë më parë është shprehur se qëndrimi i tij do të përcillet përmes dekretit.
Ligji
Pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve, mazhoranca miratoi dy ditë më parë, pa praninë e opozitës, me 74 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim, ligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve”. Një seancë që zgjati vetëm me disa replika të Kryeministrit Sali Berisha dhe qëndrimin e mbajtur në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, nga nënkryetari i grupit, Erion Brace. Në seancën e dy ditëve më parë nuk u morën parasysh asnjë nga vërejtjet e ndërkombëtarëve apo edhe opozitës mbi përmbajtjen e ligjit. Në ligj u përfshinë vetëm disa amendime të propozuara nga deputetët e mazhorancës, që në thelb nuk ndryshonin asgjë. Ligji do të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari që ka qenë pjesëmarrës në strukturat politikbërëse gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri në 8 dhjetor 1990. Subjekt i verifikimit do të jetë nga Presidenti i Republikës, anëtarët e Këshillit të Ministrave, KLD-së, Gjykatës Kushtetuese apo Gjykatës së Lartë, e deri tek drejtorët e gjimnazeve.
Kryetarja e Kuvendit i garanton OSBE-së se do të ketë transparencë në zbatimin e ligjit
Topalli: Ligji për dosjet ishte i vonuar
TIRANË- Për Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ligji për dosjet jo vetëm që nuk ishte i nxituar, por i vonuar në kohë. E ndërsa ndërkombëtarët kanë dalë në një qëndrim për ligjin e pastërtisë së figurës, Kryetarja e Kuvendit i ka deklaruar dje zëvendësambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Aleks Finen, se, “nuk ka Kushtetutë në vende të lira që mandatet t’i mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet”.
“Dje, Parlamenti votoi ligjin mbi pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Personalisht, e konsideroj këtë një arritje dhe një borxh, ndonëse pak të vonuar, ndaj vuajtjeve dhe kalvarit çnjerëzor që populli shqiptar kaloi për gjysmë shekulli. Parlamenti votoi një ligj të standardeve, model i ligjit çek. Ligji çek është shqyrtuar dhe miratuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese çeke dhe nuk është vënë kurrë në dyshim nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”,- tha dje Topalli në takimin me zv-ambasadorin e OSBE-së. Duke hequr një paralele me praktikën e ndjekur në Çeki, Kryetarja e Kuvendit theksoi se ajo që është kushtetuese për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe për Çekinë, vend anëtar i BE-së, nuk mund të jetë jokushtetuese për Shqipërinë. “Nuk ka Kushtetutë në vende të lira që mandatet t’i mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet. Ato dhjetëra e mijëra shqiptarë u burgosën e u pushkatuan, u martirizuan për parimet e Kartës së Helsinkit, për principet që mbron edhe OSBE-ja",- tha ajo. Në të njëjtën kohë, Kryetarja e Kuvendit i ka dhënë një përgjigje të prerë edhe pretendimit të Finnen-it të bërë publik përmes një njoftimi zyrtar, por edhe vendeve të tjera se, për ligjin nuk do të ketë ekspertizë ndërkombëtare. Gjatë takimit të zhvilluar, Topalli ka deklaruar gatishmërinë në garantimin e transparencës së plotë në zbatimin e këtij ligji, në përputhje me standardet e parashikuaranga Strasburgu.OSBE reagon: “Të merren hapa në konsultim me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë”
OSBE: Duhet konsultim me ekspertë ndërkombëtarë
TIRANË- Pas kërkesave të vazhdueshme, OSBE-ja është vënë para faktit të kryer nga ana e mazhorancës, e cila miratoi vetëm me 74 vota, pa praninë e opozitës, ligjin “Për pastërtinë e figurës”. Tashmë, nga OSBE-ja kërkohet që ligji për pastërtinë e figurës të përmbushë standardet ndërkombëtare. Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Alex Finnen, deklaroi dje se ligji për pastërtinë e figurës duhet të përmbushë kërkesat e një vendi që bazohet mbi shtetin ligjor. "Ligji për Pastërtinë e Figurës, i miratuar nga Kuvendi, duhet të përmbushë kërkesat e një vendi që bazohet mbi shtetin ligjor. Në veçanti, duhen respektuar plotësisht dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe standardet e pranuara ndërkombëtare”,- tha Finnen. Për këtë arsye, zv-ambasadori i OSBE-së theksoi se, “nga qeveria shqiptare pritet që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në konsultim me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të garantuar që ky ligj përmbush standardet ndërkombëtare, dhe në këtë mënyrë, do të sigurojë partnerët ndërkombëtarë për angazhimin e saj ndaj këtyre standardeve”. Zëvendëskryetari i Prezencës theksoi se OSBE-ja e ka ndjekur nga afër votimin e ligjit që u miratua me shumicë të thjeshtë dhe se është e hapur të japë konsulencën e saj, në rast se i kërkohet nga qeveria shqiptare. “Ne gjithashtu vërejmë shqetësimet e shprehura sot nga disa shtete pjesëmarrëse të OSBE-së dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. OSBE-ja mbetet e gatshme të ndihmojë, në rast se kjo gjë i kërkohet nga qeveria shqiptare”, -tha Finnen. Ky është qëndrimi i tretë zyrtar i OSBE-së lidhur me këtë çështje, ndërkohe që prej ditësh ka kërkuar që drafti për dosjet të përgatitej me konsulencë sa më të gjerë. Por, miratimi i ligjit nga Kuvendi, mund të vërë në lëvizje shumë pak mekanizma nga ana e qeverisë, e cila i kishte të gjithë mundësitë që, para miratimit, të hartonte një draft bazuar mbi shqetësimet e ndërkombëtarëve.
KE: Ligji do të krijojë më shumë padrejtësi
TIRANË- Në mbështetje të shqetësimit të vazhdueshëm të SHBA-së, por edhe OSBE-së, ka dalë dje edhe Këshilli i Europës. Pas miratimit në Kuvend të ligjit “Për Pastërtinë e Figurës”, Sekretari Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Terry Davis, në një deklaratë të shkurtër thekson se ligji i ri i lustrimit duket se i është imponuar Parlamentit shqiptar me nxitim. Davis shprehet se ky ligj më shumë do krijojë padrejtësi sesa do të korrigjojë. “Mbështetësit e ligjit nuk patën kohën e mjaftueshme që të shpjegojnë pse një ligj i tillë është i nevojshëm pothuajse dy dekada mbas rënies së regjimit komunist. Vetëm faktori kohë krijon arsye për shqetësim që ky ligj do të krijojë më shumë padrejtësi sesa do të korrigjojë. Për sa i përket përmbajtjes së ligjit, unë do ta bëj të qartë qëndrimin e tij vetëm mbasi ekspertët e Këshillit të Europës të kenë gjithë kohën e mjaftueshme për të analizuar përmbajtjen e ligjit”,- u shpreh Davis në një deklaratë zyrtare.
DASH-i dhe Ambasada Amerikane në Tiranë shprehën publikisht shqetësimin pas miratimit të ligjit të “dosjeve”. Ja arsyet.
SHBA: Të shqetësuar për ligjin e dosjeve
TIRANË- Kohët përsëriten. Gjithkush që e kishte harruar apo nuk e kishte jetuar kohën e Sali Berishës si President i Shqipërisë, e kujtoi dhe përjetoi dje me debatin për dosjet, ku marrëdhëniet e qeverisë që ai drejton me ndërkombëtarët, përfshi SHBA-në, pësuan krisje. Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada Amerikane në Tiranë shprehën publikisht shqetësimin pas miratimit të ligjit të “dosjeve” këtë të hënë në Parlament, vetëm me votat e mazhorancës. Zyrtarët më të lartë amerikanë në Shqipëri dhe Washington, e kishin paralajmëruar Kryeministrin Berisha që të mos votonte ligjin “Për Pastërtinë e Figurave”, por ai nuk u tut nga qëndrimi i tij.
Reagimi i DASH-it
Shtetet e Bashkuara shprehën dje në mbrëmje shqetësimin për miratimin e ligjit “Për Pastërtinë e Figurave të Zyrtarëve” nga Kuvendi i Shqipërisë, përmes zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Sean McCormack. Në konferencën e rregullt për shtyp, ai tha se këto shqetësime ia ka ngritur qeverisë shqiptare ndihmëssekretari i shtetit, Daniel Fried. Zëdhënësi Shon Mekormek tha se procesi i ndjekur për miratimin e ligjit për Pastërtinë e Figurave ka dhënë arsye për shqetësime nga pala amerikane. Shtetet e Bashkuara, tha ai, ia kanë shprehur këto shqetësime qeverisë shqiptare dhe pikërisht ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Daniel Fried, bisedoi me Kryeministrin e Shqipërisë për këto shqetësime. Këtë telefonatë të ndihmëssekretarit të shtetit, Kryeministri Berisha e mohoi në konferencën e shtypit të dielën në mbrëmje, ndërsa vetëm pas pohimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ai bëri lojëra fjalësh. Ndërkohë, zëdhënësi i DASH-it, Mekormek, tha se ky është një nga ato procese që Shtetet e Bashkuara po e ndjekin nga afër. Është me rëndësi, shtoi ai, që në çdo demokraci qeveria të udhëheqë në një mënyrë të tillë që të gjithë njerëzit të kenë mundësi të marrin pjesë në përcaktimin e të ardhmes së vendit. Shtetet e Bashkuara, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, e kanë të qartë se Shqipëria është duke u ballafaquar me historinë e saj, por ajo duhet të sigurojë që në këtë proces të mos i përjashtojë njerëzit nga jeta e përditshme në vend.
Ambasada në Tiranë
Deklaratës së zëdhënësit të DASH-it i parapriu Ambasada Amerikane që paraditen e djeshme, kur deklaroi se “ishte thellësisht e shqetësuar” për votimin e së hënës në Kuvend. “Ambasada e SHBA-së ndoqi nga afër votimin e mbrëmshëm në Parlamentin shqiptar që miratoi ligjin për pastërtinë e figurës, me shumicë të thjeshtë. Ne jemi thellësisht të shqetësuar. Ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse, dhe kushtetuese tek partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. I bëjmë thirrje qeverisë së Shqipërisë të marrë hapa të menjëhershme në konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, për të siguruar që ky ligj do të përmbushë standardet ndërkombëtare”, - thuhet në deklaratë. Mazhoranca e votoi me 74 vota ligjin “Për Pastërtinë e Figurës të zyrtarëve të lartë". Opozita nuk mori pjesë në votimin e ligjit, duke e cilësuar atë si projekt politik të shumicës, ndërsa do ta ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese.