Athinë, hapet zyra tregtare e Kosovës
Takohen ministri i jashtëm i Kosovës Hoxhaj me homologun Avramopulos
Greqia dhe Kosova kanë hapur një faqe të re në marrëdhëniet e tyre, sipas ministrit të jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, që priti në Athinë homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj. Kjo pas vendimit për hapjen e zyrës tregtare të Kosovës në Athinë, që u komunikua nga Avramopulos. Sipas tij, hapja e zyrës, bëhet me qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare midis Athinës e Prishtinës. Në Kosovë ushtrojnë aktivitet 76 kompani greke dhe ministri Hoxhaj theksoi dëshirën e Prishtinës që ky numër të rritet më tej, ashtu si dhe eksporte greke drejt Kosovës. Hoxhaj vlerësoi faktin se hapja e zyrës tregtare do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit në shumë fusha, si ekonomia, tregtia, turizmi, kultura dhe edukimi. Gjithsesi, Avramopulos ka sqaruar para gazetarëve se ky vendim “nuk i influencon qëndrimet e Athinës lidhur me statusin e Kosovës”, por sipas tij, hapja e zyrës dërgon një mesazh të qartë se zhvillimi ekonomik përbën një instrument esencial dhe katalizator për paqen. Janë një sërë çështjesh të tjera, ku bashkëpunimi mund të shtyjë në plan të dytë vranësirat për shkak të mosnjohjes. Athina ka shprehur mbështetjen ndaj përpjekjeve të Kosovës për integrim europian, duke theksuar se shteti i ri duhet të përmbushë kriteret dhe reformat që kërkon Brukseli.
Në këtë kuadër, Greqia mbështet gjithashtu, dhe inkurajon dialogun Prishtinë – Beograd, për të cilin Avramopulos uroi që të ketë sa më shpejt rezultate, që do të konsolidojnë të ardhmen europiane të gjithë rajonit, përfshirë Kosovën.