“Referendumi, shqiptarët ‘pro’ integrimit - Edi Rama frikë nga humbja e zgjedhjeve”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu flet pas takimit të katërt të Komitetit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh dje në Bruksel, pas përfundimit të takimit të katërt të Komitetit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, se çështjes së bllokimit të 3 ligjeve të statusit nga PS, do i përgjigjen shqiptarët me votën e tyre në referendum.
Ajo thotë se mazhoranca po ndjek këtë rrugë, sepse shqiptarët në shumicë absolute janë “pro” integrimit të vendit në BE. “Ne jemi të detyruar, sikurse duhet të ishte edhe opozita, të ndjekim interesin e qytetarëve, ndaj dhe po shkojmë drejt referendumit”.
Por, shton ministrja Bregu, “në rastin më të parë, kur opozita do të ndërrojë mendje për të votuar tre çështjet e mbetura pezull, ne jemi gati të largohemi nga referendumi dhe t’i japim zgjidhje kësaj çështje në parlament, siç do të kishte qenë dhe zgjidhja ideale”.
Pas vizitës këtu në Bruksel, të liderit të opozitës, të zotit Meta dhe të vizitës tuaj, a duket se është krijuar përshtypja që zgjedhjet e 2013-ës do të jenë të pakontestueshme, apo do të ketë ende problem?
Ajo që unë nuk mund të garantoj e nuk mund të them sot është që humbësi i zgjedhjeve të 2013-ës, pra kryetari i opozitës mund të ndryshojë qëndrimin e tij. Unë s’ia largoj dot atij frikën. Se bëj dot as unë personalisht, as kjo qeveri e nuk e bën dot as ndonjë nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian. Nuk e bindim dot të mos ketë frikë për procesin zgjedhor e të mos ketë frikë të njohë rezultatin e zgjedhjeve.
Çështje të tjera të rëndësishme kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Vazhdimisht ju jeni pyetur se nuk bëhet fjalë thjesht për tre kushte, por se është edhe korrupsioni e krimi i organizuar. Çfarë është thënë sot, në këtë takim?
Unë nuk mund t’i referohem asaj çfarë ka thënë pala evropiane. Do t’ju duhet të pyesni ata për këtë çështje. Unë mund t’ju them se çështja dhe pika nr 9 i Planit të Veprimi, që është lufta kundër krimit të organizuar, është një nga prioritetet që na bën të ndjehemi vërtetë më krenarë. Po kështu, të gjitha arritjet e tjera në luftën kundër korrupsionit janë prezantuar sot e janë vlerësuar nga pala evropiane. Ka pasur gjithashtu një progres në prioritetin 12, çështjen e të drejtave të njeriut e minoriteteve, që besoj se nuk do të jetë më një prioritet brenda listës së 12 prioriteteve, për faktin se janë ezauruar të gjitha detyrimet që kishim.
Një çështje tjetër, që ka të bëjë me ekonominë. A është i ndërgjegjshëm Komisioni Evropian se Shqipëria duhet ndihmuar tani e duhet ndihmuar ndryshe, në këtë situatë ekonomike?
Kam përshtypjen që Komisioni Evropian vlerëson së pari se në këtë kohë krize, në një kohë kur Shqipëria nuk ka pasur një bum mundësish për të pasur ekonomi solide, përveç menaxhimit të mirë të financave të vendit. KE ka vlerësuar pikërisht ruajtjen e këtij stabiliteti makro ekonomik, ruajtjen në nivele të qëndrueshme dhe të menaxhueshme të borxhit si dhe këtë rritje pozitive, që sot, si pak ose aspak vende Shqipëria e ka.