E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë, tregtarët protestë për reformën e taksave

ATHINë- Tregtarët në Athinë kanë zhvilluar një protestë të vecantë kundër masave shtrënguese të qeverisë së Papandreut. Ata kanë zhvendosur tezgat me fruta para ministrisë së Financave për të shprehur kundërshtimin e tyre për politikën e taksave të qeverisë. Tregtarët në kuadrin e kësaj proteste simbolike u kanë shpërndarë fruta falas qytetarëve, ndërsa mjaft njerëz kuriozë kanë qendruar në qendër të Athinës për të parë këtë protestë të pazakontë. Tregtarët konkretisht protestojnë kundër reformës së taksave që përfshin dhe mbajtjen e librave të llogarisë dhe mjaft masa të tjera shtrënguese.

Në fakt protestat në Greqi janë bërë të zakonshme. Thuajse gjithë sindikatat e punonjësve të sektorit privat e publik kanë protestuar ndaj masave shtrënguese të qeverisë, që ka synim të reduktojë deficitin e lartë buxhetor, me të lartin në Eurozonë.

Megjithatë sondazhet tregojnë se shumica e popullit e mbështet qeverinë Papandreu në betejën për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Së fundi BE-FMN miratuan një paketë ndihme me vlerë 30 miliardë dollarë për të ndihmuar Greqinë të dalë nga kriza, fonde që Athina ende nuk i ka kërkuar.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›