E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF, masa për dhunën në Peqin, Dervishi përjashtohet përjetë

TIRANE- Zëvendës trajneri i Shkumbinit Klodian Dervishi është përjashtuar përgjithmonë nga futbolli, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj trajnerit të Besës Shpëtim Duro, në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë të mërkurën e kaluar. Vendimi është marrë nga Komisioni i Disiplinës në Federatën e Futbollit, i cili ka dënuar vetëm ndihmës teknikun e skuadrës peqinase, por jo kryetarin e bashkisë Ilir Rrusha, i cili ishte një nga dhunuesit kryesorë të trajnerit kavajas në përfundim të takimit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Ndërkohë, Disiplinori ka dënuar me 3 ndeshje pa tifozë dhe 200 mijë lekë gjobë klubin e Shkumbinit për hedhje të sendeve të forta dhe fishekzjarreve në fushë, që ka sjellë si pasojë dëmtimin e një lojtari kundërshtar. Në ndeshjen e luajtur një javë më parë në Peqin, mbeti i dhunuar rëndë trajneri i Besës Shpëtim Duro, që në korridorin e stadiumit u godit me grushta duke mbetur pa ndjenja nga ana e kryetarit të bashkisë së Peqinit Ilir Rrusha dhe ndihmës trajnerit Klodian Dervishi. Për këtë ngjarje, tekniku i skuadrës kavajase ka bërë edhe denoncim në Prokurori ndaj dy autorëve. Përsa i përket ndeshjes, ajo përfundoi me fitoren 1-0 të Besës, e cila shkoi në finale të Kupës.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›