E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha nesër në Bruksel, zbardhet axhenda e plotë

TIRANE- Kryeministri Berisha do të niset nesër për një vizitë dy ditore në Bruksel. Faqja zyrtare e qeverisë ka zbardhur axhendën e plotë të vizitës së kryeministrit. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha do t’i dorëzojë përgjigjet voluminoze të pyetësorit që plotësoi Shqipëria, Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, me të cilin do të zhvillojë edhe një takim, e më pas një Konferencë për shtyp.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha, në ditën e parë të vizitës në Bruksel do të jetë relator në konferencën “Shqipëria drejt Bashkimit Evropian, një rrugë mbi meritën” organizuar posaçërisht për Kryeministrin e Shqipërisë nga Fondacioni Robert Schuman, në të cilën do të marrë pjesë edhe zoti Joseph Daul, President i grupit parlamentar të Partisë Popullore Evropiane dhe mjaft përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin e Këshillit Evropian, zotin Herman Van Rompuy, me Presidentin e Komisionit evropian, zotin Jose Manuel Barroso si dhe do të zhvillojë një takim e më pas një Konferencë për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian, zotin Jerzy Buzek.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›