Banorët i përgjigjen apelit të Berishës, nis evakuimi

Pas apelit të shefit të qeverisë dhe ditëve të reja me reshje që po trokasin, me komunën e Dajçit ka nisur mbrëmë evakuimin për në qendrat e pritjes, të vëna në dispozicion nga strukturat e Mbrojtjes dhe ato të Pushtetit VendorPas apelit të Kryeministrit, filloi në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, evakuimi i banorëve të komunës së Dajçit. Burime të Ministrisë së Mbrojtjes, bënë të ditur se me ndihmën e ushtrisë dhe të mjeteve të saj, u mundësua evakuimi i banorëve, nga zona e kërcënuar prej përmbytjeve të ditëve të fundit. Më herët, Kryeministri Sali Berisha apeloi dje nga zonat e përmbytura të Lezhës dhe Shkodrës për evakuimin e banorëve, për të evituar në kohën e duhur problemet e pritshme, në momente kur përmirësimi i situatës varet nga kushtet atmosferike. Shefi i ekzekutivit u është drejtuar zonave problematike përreth duke kërkuar që të evakuohen sa më shpejt banorët që rrezikohen nga përmbytjet. Ai u shpreh se situata është aktualisht e vështirë duke shtuar se kushtet atmosferike nuk po e ndihmojnë aspak gjendjen. Ndërsa duke evidentuar si problematik faktin se shumë familje nuk duan të largohen nga banesat e tyre, kërkoi që të paktën gratë, fëmijët dhe moshat e thyera, të evakuohen në mënyrë të menjëhershme, pasi asgjë nuk mund të krahasohet me jetën. Kryeministri Sali Berisha në vijim të vizitës së tij në zonat e përmbytura, u takua edhe me banorë të Dajçit, të cilët i këshilloi të evakuojnë shtëpitë për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore. Kryeministri i shprehu gatishmërinë e qeverisë për t’ju ofruar çdo ndihmë për kapërcimin e kësaj situate. Sikundër i siguroi se pasi të dilet nga kjo situatë, qeveria do të japë të gjithë mbështetjen për ripërtëritjen e zonës. “është bërë një menaxhim eficent dhe deri tani janë shmangur të gjitha pasojat madhore, nuk kemi asnjë jetë të humbur, nuk kemi dëme të ndjeshme, mund të ketë në bagëti, ka sigurisht dëme në kulturat bujqësore, në ushqimin e blegtorisë dhe të tjera. Sipas të gjitha parashikimeve sinoptike të vendit dhe të vendeve përreth Italisë, jemi para një moti të zgjatur dhe të thellë, pasi si sot parashikohet së paku edhe në ditët që vijnë. Detyra dhe apeli është që me urgjencë të fillojmë evakuimin për të shpëtuar e për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore. Të fillohet lagje më lagje dhe të bëjmë evakuimin maksimal të njerëzve. Duhet ta zvogëlojmë të keqen, duhet t’i dalim përpara”, u shpreh Berisha. Kryeministri inspektoi zonën e përmbytur dhe argjinaturën e lumit Bunë dhe më pas, zhvilloi një takim me shtabin e emergjencës të prefekturës Shkodër dhe drejtues të komunës. Në takim morën pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Maksim Malaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, Drejtori i Emergjencave Civile Alfred Olli dhe deputetë të zonës. Tre ditë më parë, kryeministri Berisha duke vizituar zonat e përmbytura në Qarkun e Lezhës dhe Shkodrës, tha se situatat më të fundit vijnë si pasojë e ngrohjes globale dhe premtoi angazhim qeveritar për të përballuar me masa konkrete që situata të mos precipitojë. Nëse në rastin e Lezhës përmbytja erdhi si pasojë e baticave të detit, në Shkodër, fshatrat po përmbyten për shkak se digat po hapen nga niveli shumë i lartë i ujit që ka arritur aty çka detyron autoritetet të ndërmarrin këtë hap....