Ati i Shenjtë, Benedikti XVI nis udhëtimin baritor në Çeki
Popullsia e Republikës Çeke, që është çliruar 20 vjet më parë nga një regjim shtypës, të rizbulojë tani traditat e krishtera që e kanë brumosur aq thellë kulturën e saj: kjo është thirrja e Benediktit XVI në aeroportin e Pragës, në fillim të shtegtimit të tij të 13-të apostolik, që bëhet me moton “Dashuria e Krishtit është forca jonë”.
Një ditë e mrekullueshme plot diell e priti Papën në Pragë, ku i dolën përpara presidenti çek, Vaclav Klaus, kardinali kryeipeshkëv i Pragës, Miloslav Vlk dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të vendit, imzot Jan Graubner. Ati i Shenjtë shprehu kënaqësinë për dhuratat tipike të vendit, që i ofruan një çift: bukën, kripën e dheun. E fjalët e para të Benediktit XVI qenë në çekisht. E më pas, duke vazhduar në anglisht, Papa vuri në dukje kontributin e dhënë në këtë tokë nga shenjtorët sllavë Cirili e Metodi, me anë të alfabetit më të cilin u lexuar Ungjilli edhe në gjuhën sllave, por edhe rolin e luajtur në histori nga territoret çeke, që shpesh kanë qenë vend betejash, por edhe urash ndërmjet popujve, traditave e kulturave të ndryshme. Benedikti XVI kujtoi 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, i cili shënoi edhe fundin e një epoke në të cilën qarkullimi i ideve dhe i lëvizjeve kulturore kontrollohej rreptësisht. Bashkohem me ju e me fqinjët tuaj në falenderimin për çlirimin nga ai regjim shtypës. Nëse rënia e murit të Berlinit shënon një vijë demarkacioni në historinë botërore, kjo është edhe më e vërtetë për vendet e Evropës Qendrore e Lindore, duke i bërë ato të afta të marrin vendin që u takon në bashkësinë e kombeve, me cilësinë e protagonistëve sovranë”.
Por nuk duhet harruar – theksoi Ati i Shenjtë – sa e madhe ka qenë kostoja e 40 vjetëve të shtypjes e represionit politik: Një tragjedi e veçantë për këtë tokë ka qenë përpjekja e pamëshirshme nga ana e qeverisë së asaj kohe për t’ia mbyllur gojën Kishës. Gjatë historisë suaj, që nga koha e shën Vençeslaut, e shën Ludmillës dhe e shën Adalbertit e deri te shën Gjon Nepomuçeni, ka pasur martirë të guximshëm, besnikëria e të cilëve ndaj Krishtit është ndjerë shumë më qartë e më fort se zëri i vrasësve të tyre”. Benedikti XVI kujtoi më pas edhe kardinalin Jozef Beran e kardinalin Frantishek Tomàshek për dëshminë e tyre të krishterë para persekutimit, si edhe shumë meshtarë e laikë që e kanë mbajtur ndezur pishtarin e fesë në trote çeke. E më pas thirrja për të ardhmen. Tani që liria fetare ekziston sërish, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës, të rizbulojnë traditat e krishtera që e kanë brumosur kulturën e tyre dhe nxis bashkësinë e krishterë të vazhdojë ta ngrejë zërin ndërsa kombi përballet me sfidat e mijëvjeçarit të ri. ‘Pa Zot njeriu nuk di se ku të shkojë e nuk arrin të kuptojë as se kush është’ (Caritas in Veritate, 78). E vërteta e Ungjillit është e domosdoshme për një shoqëri të zhvilluar, pasi i hap dyert shpresës e na bën të aftë të zbulojmë dinjitetin tonë të patjetërsueshëm si bij të Hyjit”.
Kronika - Ati i Shenjtë shfaq respekt për fëmijët e keqtrajtuar tek shtatorja e Jezusit-Fëmijë të Pragës/E pikërisht për bijtë e vegjël të Hyjit, Ati i Shenjtë pati rastin të fliste gjatë vizitës në kishën e Shën Marisë së Fitores, ku nderoi shtatoren e vogël prej druri e dylli të Krishtit Fëmijë, vendosur aty që nga viti 1628. Me këtë rast, Papa dhuroi një kurorë për Fëmijën Hyjnore, që nderohet më tepër jashtë vendit se në Republikën Çeke. Gjatë përshëndetjes, Benedikti XVI kujtoi fëmijët e shfrytëzuar e të keqtrajtuar, duke kujtuar se ata janë në të vërtetë e ardhmja dhe shpresa e njerëzimit. Para shtatores së Jezusit Fëmijë, veshur me këmishë të kuqe, frymëzuese e veprave si “Princi i vogël” i Saint Exupéry, Papa u lut e kujtoi familjen e Nazaretit, duke i kërkuar Zotit dhuratën e bashkimit e të mirëkuptimit për të gjitha familjet: “Mendojmë veçanërisht për (familjet) e reja, që duhet të bëjnë shumë përpjekje për t’u dhënë bijve siguri e të ardhme të denjë. Të lutemi për familjet në vështirësi, të sprovuara nga sëmundja e dhimbja, për ato në krizë, të ndara e të plagosura nga keqkuptimet e nga tradhëtitë”. E para Krishtit Fëmijë të Pragës, shembull i bukurisë së fëmijërisë e shenjë e parapëlqimit të Jezusit për të vegjëlit, Papa kujtoi të gjithë fëmijët fatkeqë në botë: “Sa fëmijë nuk duhet, as pranohen, as respektohen! Sa janë viktima të dhunës e të çdo lloj shfrytëzimi nga ana e njerëzve të paskrupullt! T’u rezervohet të vegjëlve respekti dhe kujdesi që u takon: fëmijët janë e ardhmja dhe shpresa e njerëzimit”. E njerëzimi duhet të kuptojë se çdo njeri është bir i Zotit, prandaj – theksoi Papa – është vëlla me ne e, si i tillë, duhet pranuar e respektuar: “Shoqëria jonë duhet ta kuptojë këtë realitet! Atehërë, çdo njeri do të vlerësohej jo për atë që ka, por për atë që është, sepse në fytyrën e çdo personi, pa dallim race e kultura, shkëlqen imazhi i Zotit”. Shtatorja e Jezusit Fëmijë të Pragës është 47 cm e lartë, e veshur me këmishë. Janë të paktën 60 veshjet e tjera të qëndisura, që janë ofruar nga besimtarët, pas një mrekullie që u ka ndodhur në hir të ndërhyrjes së Krishtit të vogël. Kulti është i përhapur në shumë anë të botës, ku ndodhen kopje të shtatores. Me origjinë në shekullin XVII, shtatorja ka ardhur nga Spanja e më pas u është dhuruar karmenlitanëve të kishës së Zojës së Fitores nga princesha Poliksena e Lobkovicit në vitin 1628.
Kronika e nisjes së shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Republikën Çeke/Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë Shenjte dhe Çekosllovakisë ka më se 90 vjet që ekzistojnë. Ato u vendosën në tetorin e vitit 1919. Një vit më vonë në Vatikan erdhi ambasadori i parë K. Krofta, i cili i paraqiti Papës Benedikti XV letrat kredenciale. Në vitin 1925 me rastin e kremtimeve përkujtimore në 510-vjetorin e djegies në turrën e druve të reformistit Jan Hus, ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Çekosllovakisë u krijuan shumë tensione të cilat mbërritën kulmin me tërheqjen e përkohshme të Nuncit apostolik. Por menjëherë nisën përpjekjet për zbutjen e tensioneve. Pas krijimit të Protektoratit dhe të Shtetit Sllovak, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vatikani nuk pati marrëdhënie me qeverinë çeke në azil, në Londër. Ngjarjet e Çihoshtit - Në fund të 1949 Çekosllovakia gjendej nën regjimin komunist i cili kishte asgjësuar të gjitha partitë e tjera që kishin marrë pjesë në formimin e Republikës së Tretë në vitin 1945. Pikërisht në këtë kohë në fshatin Çihosht ndodhën disa ngjarje të pazakonta. Famullitari Atë Jozef Tufar dhe besimtarët, për tri herë me radhë, ( me 11, 24 dhjetor 1949 dhe 8 janar 1950) deklaruan se kishin parë një kryq që sillej përqark vetvetiu duke kallëzuar vazhdimisht drejtimin e Perëndimit. E ashtuquajtura “Mrekulli e Çihoshtit” zgjoi tërbimin e autoriteteve komuniste që urdhëruan mbylljen e kishave, të shoqëruara këto me arrestime dhe shpronësime, ndërsa famullitari Jozef Tufar u fut në burg, ku përpara se të vdiste u torturua. Pikërisht në këtë periudhë përfaqësia diplomatike e Vatikanit u shpall e padëshirueshme dhe si e tillë u dëbua nga vendi. Pas dyzet vjetësh komunizëm Republika Federale Çeke dhe Sllovake, i rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Selinë Shenjte me 19 prill 1990. Me 21-22 prill 1990 Gjon Pali II në kuadër të Shtegtimit të 46 të tij Apostolik vizitoi Republikën Federative. Mbeten të paharruara fjalët e tij kur mbërriti në Pragë: “Jeta e kombeve të Evropës Qendrore dhe lindore ka qenë deri tani, nga shumë pikëpamje e parealizuar për shkak të zbatimit të dhunshëm të idelogjisë materialiste, që nuk përkonte me traditat shpirtërore dhe as me kërkesat e kohës në këtë prag të mijëvjeçarit të ri. Këto kombe kanë nevojë ta marrin veten e të përtërihen, jo vetëm në kuptimin politik dhe ekonomik, por edhe në atë shpirtëror dhe moral”. Republika Çeke - Mbas ndarjes me mirëkuptim të Çekisë dhe Sllovakisë, Selia e Shenjtë e njohu Republikën Çeke si të tillë me 1 janar 1993. Që nga ajo ditë marrëdhëniet diplomatike kanë vijuar normalisht. Ambasadori i tashëm i Republikës Çeke, Pavel Voshalik i paraqiti Benediktit XVI letrat e tij kredenciale më 27 shtator 2008. Gjithashtu më 25 korrik 2002, pas gati dy vjetësh bisedime, në Pragë u firmos “Pakti ndërmjet Selisë Shenjte dhe Republikës Çeke për rregullimin e marrëdhënieve reciproke”. Tani pritet miratimi i kësaj marrëveshjeje nga Dhoma e Deputetëve të Republikës Çeke.
Marrë nga Radio Vatikani