E Diel, 1 Nëntor 2026

Sadik Spahija: Teknikat e reja në qeramikë, në shërbim të studentëve

Flet dekani i Fakultetit të Arteve Pamore
Në galerinë e Fakultetin e Arteve Pamore prej disa ditësh qëndron e hapur ekspozita e me punime të disa artistëve belgë, të cilët kanë ekspozuar punimet e tyre në qeramikë. Ekspozita, e cila titullohet Cer Amics përmban punime të artistëve Jasques Loly, Vincent Kenpenaers, Therese Lebrun dhe Anne Lecceercq vjen si një bashkëpunim me Word Graft Cuncil dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 8 prill. Dekani i këtij fakulteti Sadik Spahija u shpreh se kjo ekspozitë ishte e rëndësishme, jo vetëm për atë çfarë ajo sjell në fushën e artit, por dhe sepse artistët e huaj belgë po realizojnë këto ditë dhe bashkëpunime me studentët shqiptarë për sa i përket qeramikës. Ekspozita vjen në kuadër të një aktiviteti që po organizon Fakulteti i Arteve dhe seksioni i qeramikës. Është një punë, e cila ka filluara që prej një viti ku për një periudhë dy javore disa artistët belgë, të cilët janë dhe qeramistë të njohur në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare kanë ardhur në fakultet. Mes tyre është dhe artistja Anne  Leccercq, dhe këta për dy javë do të jenë në shkollën tonë dhe do të punojnë sëbashku me stafin tonë, por dhe me studentët e atelierit të qeramikës në një mjedis më të gjerë, sepse ky aktivitet është pjesë e një klime më të gjerë  që ofrohet në shkollë. Janë të ftuar dhe artistë qeramistë të tjerë, artistë të tjerë të cilët dëshirojnë të njohin qeramikën dhe ta shfrytëzojnë atë në krijimtarinë e tyre. Pra ky aktivitet ka një kontekst më të gjerë, tregon dekani i fakultetit Spahija. Sipas tij artistë belgë e kanë filluar punën me studentët shqiptarë, dhe kjo u shërben studentëve të marrin dhe më shumë eksperiencë. Puna tashmë ka filluar dhe u bë një javë që artistët belgë po punojnë me studentët dhe qëllimi i këtij aktiviteti është që ne të përpiqemi që të ringjallim potencialet tona dhe të shfrytëzojmë mundësitë e baltës sonë, që gjendet në Shqipëri. Prej kohësh ne kemi dërguar kampione nga materialet tona, të cilat janë testuar nga artistët belg, për mundësitë që do të kemi ne dhe për ti shfrytëzuar në workshopin tonë. Njëkohësisht ato do të eksperimentojnë dhe do të punojnë sëbashku me studentët me teknikat e tyre vetjake me të cilat janë njohur në karrierën e tyre, u shpreh dekani i Arteve Figurative. E veçanta  e kësaj ekspozite, sipas tij qëndron në faktin se artistët belgë kanë ekspozuar në këtë galeri veprat bëra me materiale që durojnë temperatura të larta dhe kjo është diçka shumë interesante. Artistët kanë ekspozuar në galerinë tonë veprat e tyre të sjella nga Belgjika, të cilat janë materiale që durojnë temperaturat e larta siç është porcelani dhe gresi, por ajo çka është e veçantë dhe që është shumë interesante për ne, është që në shkollën tonë ato po punojnë me materialet tona. Pikërisht kjo është një mundësi që ne të shfrytëzojmë sa më shumë mundësitë që na jepen ne në territorin tonë. Ne kemi shkuar deri në Pukë dhe kemi marrë një material, që duron temperaturat larta dhe studentët vetë nga qytetet që kanë ardhur kanë marrë nga një kampion me një sasi të caktuar baltërash, të cilat janë të eksperimentuar dhe po eksperimentohet se çfarë temperaturash durojnë etj, cilësoi dekani Spahija. Më tej ai tregon se është nga pikëpamja teknike një eksperiencë e re komunikimi, por e veçantë është se disa nga këta artistë janë njohur me ndërkombëtarisht të teknikave krejtësisht personale. Studentët po i realizojnë veprat e tyre, duke biseduar me Therese Lebrun, e cila procedon hap pas hapi për të realizuar këto objekte të veçanta, të cilat janë të ekspozuara në ekspozitë. Po ashtu dhe artistë të tjerë siç është Vincent Kempenaers edhe ai ka teknikat veta për ndërtimin e objekteve, ku edhe ai po punon dhe po realizon sëbashku me studentët vepra qeramike. Secili nga këta artistë po përpiqet që të eksperimentojë po ashtu ne kemi të ftuar edhe një qeramist të vjetër dhe me eksperiencë, i cili do të demonstrojë disa teknika. Këto janë teknika të dobishme dhe një mundësi më shumë për studentët, të cilat janë njohur pjesërisht në mjedisin tonë, ku ai do të punojë sëbashku me studentët tanë, tregon ndër të tjera dekani Spahija. Ekspozita përveç studentëve gjatë këtyre ditëve ka ngjallur dhe kureshtjen e publikut, i cili e ka vizituar galerinë e Akademisë së Arteve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›