“Atonement”, filmi më i mirë në BAFTA
Filmi “Atonement” është shpallur nga Akademia britanike e Filmit dhe e Televizionit si filmi më i mirë. Mes kandidaturave si ajo e “There Will Be Blood”, “No Country For Old Men” duket se historia që evokon periudhën e Luftës së Dytë Botërore ka qenë më e mira, duke “rrëmbyer” çmimin prestigjioz britanik. Përveçse u shpall si filmi më i mirë, “Atonement” ka fituar edhe një çmim në kategorinë e “production design”. Filmi, i cili pritet të shfaqet në Tiranë gjatë muajit mars në kinema “Millenium 2”, ka shtuar në këtë mënyrë edhe 2 çmime nga BAFTA. Nga Golden Globe filmi mori të njëjtin vlerësim, si më i miri, dhe çmimin e dytë në kategorinë e muzikës. Kështu, nga dy konkurrime mjaft të rëndësishme, filmi “Atonement” ka siguruar pohimin për vlerat e produksionit në të gjithë përbërësit e tij. “Atonement” ka edhe 7 nominime të tjera, njëri prej të cilëve është për filmin më të mirë. Dhe meqë thuhet se Golden Globe dhe BAFTA janë hapa të sigurt drejt Oscar-it, atëherë mund të thuhet se “Atonement” ka prerë një gjysmë bilete për të fituar statujën e çmuar. Gjysma tjetër, ajo që do t’i sigurojë fitoren, duhet pritur më 24 shkurt.
12 Shkurt 2008