Gafur Adili dhe Idajet Beqiri perseri ne listen e zeze te BE-se
Bashkimi Europian ka bërë publike listën e zezë të 17 personave të padëshiruar për Maqedoninë. Sipas burimeve të BE-së, këta persona, midis të cilëve edhe tre emra të rinj, përbëjnë një kërcënim serioz për paqen në rajon. Hebib Ahmeti, nga fshati Brodec, videoja e të cilit u publikua nga mediat disa ditë më parë, është njëri prej personave të kësaj liste. Në këtë video duket qartë dhuna që policia maqedonase ka ushtruar. Për personat e përfshirë në listën e zezë thuhet se kanë vepruar në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit. Në listë mbeten deputeti i PDSH-së Daut Rexhepi, ish-komandanti i UÇK-së Agim Krasniqi, lideri politik i AKSH-së Gafurr Adili, Lirim Jakupi, Idajet Beqiri dhe disa të tjerë. Tre muaj më parë, policia maqedonase hyri në fshatin Brodec të Malësisë së Sharrit, në veriperëndim të Tetovës ku vrau disa shqiptarë dhe arrestoi disa të tjerë, të cilët thuhet se kanë qenë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Nga ky sulm mbeti i vrarë edhe Ramadan Shiti, i shumëkërkuari për krime lufte në Maqedoni, i cili ishte arratisur nga Burgu i Dubravës në Kosovë. Policia gjatë këtij sulmi bllokoi të gjitha hyrje-daljet nga Tetova për në fshatrat e Malësisë së Sharrit. Trupat speciale maqedonase, gjatë operacionit të koduar "Stuhia malore", kanë përdorur armët e rënda deri tek autoblindët dhe helikopterët. Popullsia ka hedhur akuza ndaj policisë se ka përdorur metoda jonjerëzore, duke bastisur shtëpitë dhe duke kontrolluar thuajse të gjithë banorët e fshatit. Gjatë aksionit të policisë ka pasur shkëmbime zjarri mes policisë dhe disa personave të armatosur. Reagime për këtë ngjarje të rëndë ka pasur edhe nga zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Kështu, Kristina Nagi, zëdhënësja e komisionerit për Zgjerim të BE-së Oli Rehn, ka theksuar se janë njohur me aksionin e policisë në Malësinë e Tetovës. Edhe partitë politike shqiptare në Maqedoni kanë pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me operacionin e kryer nga forcat policore. Partia më e madhe, Bashkimi Demokratik për Integrim, është shprehur e shqetësuar për situatën e krijuar. “Dënojmë bastisjet në lagjet shqiptare të Shkupit, ku janë burgosur ish-pjesëtarët e UÇK-së. Përgjegjës për këtë situatë është koalicioni VMRO-PDSH", - ka theksuar anëtari i kësaj partie, Hazbi Lika. BDI-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme në prag të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.
Adili: “Nuk më frikëson ‘lista e zezë’ e BE-së
Lidhur me vendimin më të fundit të BE-së ka reaguar edhe Gafurr Adili. Sipas tij, as nuk e kanë frikësuar dhe as nuk e frikësojnë të ashtuquajturat “lista të zeza”, qofshin këto edhe të Bashkimit Europian. “Mua më frikëson vetëm ‘lista e zezë’ e kombit shqiptar. Deri në frymëmarrjen time të fundit, do të punoj e veproj për bashkimin e kombit shqiptar në një komb-shtet të vetëm shqiptar. Kështu kam deklaruar edhe në vitin 2004 kur BE më futi për herë të parë në ‘listën e zezë’. Këtij qëndrimi i mbahem edhe tani”, - deklaroi Adili.
12 Shkurt 2008