Pesë “Grammy” për këngëtaren britanike Amy Winehouse
Këngëtarja britanike Amy Winehouse fitoi pesë Grammy në ceremoninë e 50-të të këtyre çmimeve. Kënga e saj “Rehab” fitoi çmimin “Kënga e Vitit” në ceremoninë që u zhvillua mbrëmë në Los Angelos. Kënga është autobiografike dhe Winehouse ia kushton së kaluarës së saj jo të largët, kur ajo ishte nën varësinë e drogës. Por Winehouse fitoi gjithashtu dhe çmimet për “Artisten më të mirë të re”, “Zëri më i mirë femëror i vitit” dhe të ”Regjistrimit diskografik më të mirë të vitit”. Ajo i mori çmimet nëpërmjet një lidhjeje direkte satelitore me Londrën, pasi pati probleme për pajisjen me vizën amerikane. Këngëtari Kaney West emocionoi të pranishmit në sallë dhe miliona teleshikuesit me dedikimin e tij për të ëmën, që u nda nga jeta pak kohë më parë. Ai fitoi çmimin për albumin më të mirë të vitit, si dhe fitoi dhe 7 çmime të tjera “Grammy” për kategori të ndryshme. Spektakli ka qenë një pjesë e rëndësishme e këtij organizmi, ku nuk munguan surprizat, që nga dueti i legjendares Tina Turner me Beyonse, paraqitja e mbretëreshës së soulit Aretha Franklin, dueti i Andrea Bopcellit me Josh Groban, që i bënë homazh tenorit Luçiano Pavaroti, si dhe përshëndetjet e emrave më të spikatur që kanë fituar çmimet “Grammy” përgjatë këtyre 50 viteve. Bruce Springsten fitoi çmimin si zëri më i mirë rrok i vitit me këngën “Radio Nowhere”.
Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, senatori i Ilinoit, Barak Obama, ishte mbrëmë fitues i një çmimi “Grammy” për interpretimin e variantit audiofonik të librit të tij me titull ”Guximi i shpresës”. Ndërsa Rihanna, me këngën “Umbrella” fitoi çmimin si bashkëpunimi më i mirë në kategorinë e muzikës rap, së bashku me Jay-Z. Çmimi më i rëndësishëm i natës, ai për albumin më të mirë, iu dha muzikantit të xhazit, Herbie Hancock, për albumin e tij “River: The Joni letters”. Dhe ka ulur kështu siparin ceremonia e 50 e çmimeve “Grammy” në muzikën bashkëkohore, në një mbrëmje ku u ndërthur muzika bashkëkohore me elementin klasik, ku emrat më të rinj të muzikës interpretuan krahas emrave më në zë të saj dhe ku nuk mungoi homazhi dhe nderimi për ata që kanë bërë historinë 50-vjeçare të këtyre çmimeve prestigjioze të muzikës.
12 Shkurt 2008