E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikoliç: “Kur bëhet fjalë për Kosovën, nuk jam në opozitë”

Zëvendëskryetari i Partisë Radikale serbe, Tomisllav Nikoliç, ka shprehur mbështetjen e tij për qeverinë aktuale serbe. Ai ka deklaruar se në këto ditë vendimtare për Kosovën do ta mbështesë qeverinë sikur të ishte anëtar i saj. “Nuk dua të jem pjesë e qeverisë, por dua t’i jap mbështetje. Nuk dua të jem opozitar në këtë çast, kur mbrohet Kosova", - ka thënë Nikoliç. Ai nuk ka nguruar t’i bëjë thirrje presidentit Boris Tadiç dhe kryeministrit Vojsllav Koshtunica, të cilët duket se kohët e fundit kanë pasur kundërshti dhe përplasje me njëri-tjetrin, duke u pasqyruar në një krizë që po pëson Serbia pas zgjedhjeve parlamentare. Nikoliç ka shtuar se kryeministri Vojsllav Koshtunica dhe presidenti Boris Tadiç nuk do të duhej të ndaheshin në kohën kur Serbisë po i rrëmbehet Kosova. Para disa ditësh është shtyrë edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Serbisë dhe Bashkimit Europian. Koshtunica ka theksuar se nënshkrimi i marrëveshjes do të nënkuptonte nënshkrimin e pavarësisë së Kosovës. Ndërsa përfaqësuesit e presidentit Tadiç kanë sqaruar se nënshkrimi i MSA-së dhe Kosova janë dy çështje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Kroacia, Sllovenia dhe Gjermania do të njohin të parat pavarësinë e Kosovës
Kroacia, Sllovenia dhe Gjermania do të jenë ndër vendet e para që do të njohin pavarësinë e Kosovës. Ministrat e Jashtëm të Kroacisë dhe Sllovenisë, si dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih janë shprehur se vendet e tyre do të kenë një qëndrim të përbashkët me vendet e Bashkimit Europian për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, duke mos dashur të spekulojë me datën se kur Kosova do ta shpallë pavarësinë, ka thënë se Sllovenia mbështet vendosjen e Misionit Europian në Kosovë. “Nëse 17 shkurti është caktuar data për shpalljen e pavarësisë, ne do t’i përmbahemi politikave europiane të përcaktuara”, - u shpreh Rupel. Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Jandrokoviç, është shprehur se vendi i tij po e ndjek me shumë vëmendje situatën në Kosovë. “Si një kandidat për integrimin europian do t’i përmbahemi qëndrimit të bllokut për çështjen e Kosovës”, - ka thënë ministri i Jashtëm kroat. Ndërkaq, ministri gjerman i Mbrojtjes ka shfaqur besimin se situata në Kosovë do të mbetet e qëndrueshme dhe paqësore. “Kjo është shumë e rëndësishme për rajonin dhe për vendet fqinje. Ne kemi nevojë për perspektivën europiane dhe për Serbinë gjithashtu. Shpresojmë dhe dëshirojmë që dhuna të shmanget. Kolegu im serb më siguroi për këtë. Në këtë mënyrë, ne do të vazhdojmë të kemi një zhvillim paqësor dhe të qëndrueshëm në Kosovë”, - ka deklaruar ministri gjerman i Mbrojtjes.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›